Punonjësit e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, 10 mijë lekë rritje page
Këshilli i Ministrave miratoi ditën e djeshme një organikë të re pagash për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Zyrtarëve të Shtetit. Sipas këtij vendimi, inspektorët e këtij Inspektorati do të përfitojnë një rritje page prej 10 mijë lekësh në muaj në pagat e tyre. Qeveria ka përcaktuar se punonjësit në këtë Inspektorat që do të përfitojnë këtë shtesë do të jenë nëpunësit në pozicionet “Inspektor i lartë” dhe “Ndihmësinspektor i lartë”, në Inspektoratin e Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Vendimi i qeverisë është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 18 e 29, të Ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999,“Statusi i nëpunësit civil”, të nenit 5/1, të Ligjit nr.8487, datë 13.5.1999 “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, të Ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera, të pavarura, të krijuara me ligj, dhe të Ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave.
2 Maj 2008