Shpërblehen me 15 mijë lekë anëtarët e Komitetit të Auditimit të Brendshëm
Këshilli i Ministrave vendosi ditën e djeshme që të shpërblejë anëtarët e Komitetit të Auditimit të Brendshëm. Qeveria vendosi që masa e shpërblimit të anëtarëve të Komitetit të Auditimit të Brendshëm të jetë prej 15 mijë lekësh në muaj. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e shtetit, për Ministrinë e Financave, programi “Auditimi i brendshëm”. Ministri i Financave do të zbatojë këtë vendim të qeverisë. Një pikë e vendimit të djeshëm shprehej se Vendimi nr. 833, datë 11.12.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për funksionimin e Komitetit të Auditimit të Brendshëm”, dhe çdo dispozitë tjetër nënligjore, që bie në kundërshtim me këtë vendim do të shfuqizohen. Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 14, të ligjit nr.9720, datë 23.4.2007, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, sipas propozimit të ministrit të Financave, Ridvan Bode.
2 Maj 2008