E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, shkurtime drastike punonjësish në Arsim dhe Transport

Punonjësit do të reduktohen në muajin korrik, lista e plotë e punonjësve. Kush do të preket nga 487 shkarkime në Arsim dhe 135 në Transporte

Erald Kapri

Administrata publike do të ketë një reduktim të ndjeshëm gjatë këtij viti. Ministria e Financave ka detajuar numrin e përgjithshëm të punonjësve buxhetorë dhe në analizën e saj, 622 punonjës janë të tepërt. Qeveria miratoi ditën e djeshme numrin e përgjithshëm të punonjësve gjatë vitit 2008 si dhe përcaktoi se ku do të bëhen 622 shkurtime nga puna. Sipas vendimit të qeverisë, në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të pakësohen 135 punonjës dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do të pakësohen 487 punonjës. Qeveria vendosi që këtë vit të ketë vetëm 11 punonjës shtesë në administratë, që do të jenë 11 punonjës në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Punonjësit do të shkurtohen mbas datës 1 korrik të këtij viti. Sipas relacioneve shpjeguese të qeverisë, punonjësit që do të shkurtohen në Ministrinë e Arsimit do të jenë specialistë në drejtoritë në të gjithë vendin, pra pothuaj nuk do të preken arsimtarët si dhe shkurtimet në Ministrinë e Transporteve do të jenë në Inspektoratin e Ndërtimit. Me krijimin e këtij Inspektorati, u përcaktuan si të nevojshme vetëm 140 punonjës në mbarë vendin, nga 275 të tillë që kishte Policia Ndërtimore para se të shkrihej. Numri total i punonjësve buxhetorë për periudhën janar-korrik 2008 do të jetë 104 592 punonjës, ndërsa mbas muajit korrik e deri në dhjetor të këtij viti, numri i punonjësve do të jetë 104 105 punonjës.
Shkurtimet
Numri i punonjësve buxhetorë mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të buxhetit të shtetit, i cili është një mjet esencial për ruajtjen dhe kontrollin mbi shpenzimet buxhetore të personelit. Njëkohësisht numri i punonjësve të administratës shërben si referencë për kosto të tjera operative në vlerësimin e aktivitetit të institucioneve. Ministria e Financave përgatit çdo vit projektvendimin për numrin e punonjësve buxhetorë duke respektuar parashikimet e bëra. Sipas vendimit numër 160 të datës 12 shkurt të këtij viti, numri i punonjësve u përcaktua 104 716 punonjës, por që ky numër do të ndryshonte shpejt. Në vendimin e djeshëm, shtesa e vetme ishte shtimi me 11 punonjës në Ministrinë e Ekonomisë, që përbën edhe organikën e institucionit më të ri, Njësisë së Monitorimit të Lojërave të Fatit. Në këtë projekt u parashikua shkurtimi i numrit të punonjësve në Ministrinë e Transporteve me 135 të tillë. Ky shkurtim ka ardhur si rezultat i shkrirjes së Policisë së Ndërtimit prej 275 punonjësish dhe i krijimit të Inspektoratit Ndërtimor, Urbanistik Kombëtar me 140 punonjës. Ministria e Transporteve, sipas vendimit të djeshëm, ka tashmë në organikën e saj 1362 punonjës. Gjithashtu, në këtë projekt është parashikuar një pakësim prej 478 punonjësish për Ministrinë e Arsimit, të cilët do të shkurtohen nga data 1 korrik e deri në muajin dhjetor. Ky pakësim ka ardhur si rezultat i reflektimit të vendimit të qeverisë “Për administrimin e konvikteve të sistemit arsimor parauniversitar” duke kaluar punonjësit e administrimit të konvikteve nga varësia e ministrisë në varësi të pushtetit lokal.
Reforma
Administrata shtetërore ka qenë një reformë e cila ka larguar shumë punonjës buxhetorë. Fillimisht qeveria shkurtoi numrin e ministrive. Gjatë vitit të kaluar pati lëvizje të ndjeshme në administratë, ku pati shkurtime të mëdha. Praktikisht, sipas reformës së ndërmarrë nga qeveria, administrata shtetërore nuk ka rënë asnjëherë në qetësi për nga ana e shkarkimeve. Ministria e Brendshme pati edhe numrin më të madh të shkurtimeve me 2096 punonjës të saj gjatë vitit 2007. Në lëvizjet e përgjithshme disa institucione rritën numrin e punonjësve të tyre, por në total shkurtimet ishin më të larta.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›