E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shton fondin me 24 milionë lekë për të prekurit e Gërdecit



Këshilli i Ministrave ka miratuar ditë e djeshme një shtesë fondi për të prekurit nga tragjedia në fshatin Gërdec. Rreth 24 milionë lekë do të shkojnë për familjarët e dëmtuar nga shpërthimi i repartit të demontimit në Gërdec. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, do t’i shtohet fondi prej 20 milionë lekësh për Shtëpinë e Pushimit në Durrës, për mbulimin e shpenzimeve për akomodimin me ushqim dhe fjetje dhe shpenzime të tjera, për familjarët e sistemuar në këtë shtëpi pushimi për shkak të tragjedisë. Fondi do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Periudha e trajtimit të familjarëve të akomoduar në Shtëpinë e Pushimit Durrës, shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme për shkak të këtij aksidenti, do të jetë deri në dy muaj nga data e ndodhjes së kësaj ngjarjeje. Njëkohësisht është vendosur që shpenzimet e varrimit dhe të ceremonisë mortore për viktimat e tragjedisë së datës 15 mars në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë të përballohen nga Ministria e Brendshme, me fondin e emergjencës, miratuar për vitin 2008. Ministria e Financave ka nisur para dy ditësh dhënien e dëmshpërblimeve për banorët e prekur nga tragjedia e shpërthimit të fshatit Gërdec të Tiranës më 15 mars 2008. Sipas të dhënave të bëra publike nga ministria, rreth 844 milionë lekë kanë kaluar në llogaritë personale të 1500 shtetasve të dëmtuar nga shpërthimi në Gërdec. Specialistët e thesarit në këtë ministri po përgatisin dhe listën prej 409 personash që përfitojnë një shumë prej 135 239 848 lekësh. Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 336, datë 24.03.2008, janë 3825 persona që përfitojnë në total një dëmshpërblim prej 1 miliard e 559 milionë lekësh. Listat dhe fonde të dëmshpërblimeve për banorët e prekur nga kjo tragjedi do të jepen edhe në komunat e tjera, të cilat u dëmtuan nga predhat dhe shpërthimi. Sipas të dhënave zyrtare të bëra të ditura nga Bashkia Vorë, numri i bizneseve të dëmtuara është më shumë se 2 mijë. Ndërsa numri i ndërtesave të dëmtuara nga shpërthimi është mbi 4 mijë.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›