E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: “Fitorja me Besën na çon te titulli”



Kur Partizani fitoi titullin e 15-të dhe të fundit në sezonin 1992-1993, Hasan Lika ishte ndihmësi i Sulejman Starovës. Sot, pas 15 vjetësh, Lika, në rolin e trajnerit të parë të Partizanit, i ka të gjitha mundësitë për të fituar me të kuqtë trofeun e çmuar, kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i sezonit 2007-2008.
“Demat”, që fituan me meritë të shtunën e kaluar ndaj rivalëve të tyre të përjetshëm, Tiranës (2-1), ndodhen vetëm dy pikë larg Dinamos kryesuese, me të cilën do të përballen në javën e fundit të Kampionatit të 69-të Kombëtar, ku pritet të jepet edhe verdikti i këtij edicioni.
Kundërshtari i radhës i Partizanit në javën e 30-të është Besa, fituesja në fuqi e Kupës së Shqipërisë, por edhe rivali që lufton për vendin e dytë.
Trajneri Lika, i cili më parë ishte për pak kohë drejtor teknik dhe trajner i skuadrës kavajase, thotë: “E rëndësishme për ne është fakti, që nga pikëpamja psikologjike jemi shumë mirë. Fitorja ndaj Tiranës na ka bërë mirë. Kaluam pengesën më të madhe. Ndeshja me Besën është e vështirë dhe ne po përgatitemi seriozisht për ta mbyllur në mënyrën më të mirë edhe këtë takim”.
Tri pikë me Besën në Kavajë do të vlenin jo pak, aq më tepër kur Dinamo do të ndeshet me Tiranën në kryeqytet. Bardheblutë nuk do të lejonin kurrë dy humbje rresht në derbi, çka do të prodhonte edhe një ndihmesë inderekte për Partizanin. Gjithsesi, skuadra kavajase do të përballet me Dinamon një javë më pas.
Besa një javë më parë fitoi me Vllazninë në Shkodër dhe tekniku Lika nuk e fsheh faktin se do të përballet me një skuadër ambicioze, sidomos në shtëpinë e saj, ku ka regjistruar edhe numrin më të madh të fitoreve, 13, kur Partizani e Dinamo këtë tregues e kanë 10.
“Edhe pse kam drejtuar Besën për pak kohë nuk them se e njoh shumë mirë skuadrën kundërshtare, por si çdo trajner edhe unë kam konstatuar ndonjë defekt anësor mbi të cilin po ndërtoj edhe strategjinë time”, - thotë Lika, një prodhim i mirëfilltë i shkollës së Partizanit, teksa fanellën e kuqe a veshur qysh fëmijë dhe është edukuar nga trajnerë me emër, që nga Bejkush Birçe, Refik Resmja, Neptun Bajko.
Partizani, edhe pse është ekipi që ka pësuar më pak humbje – vetëm 3- është ndëshkuar jo pak nga gjyqtarët gjatë këtij edicioni, por trajneri Lika thotë se ai konsideron vetëm gabime njerëzore, edhe pse në gjatë zhvillimit të ndeshjeve e shohim në pistë duke u ankuar jo pak për gjykimin. “Dëshiroj të theksoj edhe faktin, se kemi pasur mungesa e dëmtime, deri tani ia kemi dalë, falë edhe seriozitetit e impenjimit të lojtarëve”, - shton Lika.
Pas takimit me Besën, Partizanin e pret Vllaznia, që të mërkurën e ardhshme, më 7 maj do të luajë edhe finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Tiranës. “Vllaznia është një tjetër takim i vështirë, pasi Vllaznia është një nga skuadrat me traditë në futbollin shqiptar dhe ndaj Partizanit ka zhvilluar gjithmonë lojëra të mira”.

Ndeshjet e Partizanit
Java 30
Besa-Partizani
Java 31
Vllaznia-Partizani
Java 32
Partizani-Skënderbeu
Java 33
Dinamo-Partizani

Bilanci i Partizanit
Ndeshje: 29
Pikë: 56
Vendi: 2
Fitore: 15
Barazime: 11
Humbje: 3
Golat: 41-20

Daja bën parashikuesin: Besa-Partizani mbyllet 2

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, pohoi për “Ora Sport” se nuk i zë besë Tiranës, edhe pse bardheblutë mund të luajnë me të rinjtë. “Tirana është ndërtuar për të të fituar. Unë e njoh forcën e Dinaos dhe mendoj se nëse titulli do të diskutohet në ndeshjen e fundit, fitojme ne”, - tha ish-tekniku i Elbasanit. Dinamo fitoi me verdheblutë 3-1 të shtunën e kaluar, ndërkohë që rivali i saj në kampionat, Partizani fitoi 2-1 me Tiranën, kundërshtarin e ardhshëm të bluve. Së fundi edhe një shigjetë drejt skuadrës së kuqe: “Ne nuk e kemi zakon të merremi me fjalë, por punojmë”.
nuk merremi me llafe, por punojmë, pavarsisht se ndeshja midis Besës dhe Partizanin mbyllet ‘2’ për të kuqtë”.

Media holandeze: Shqipëri-Poloni, sfida Han-Benhaker

Rikthimi i Shqipërisë më FIFA e UEFA do të shoqërohet me një shije të veçantë për trajnerin holandez Ari Han, tekniku i katërt i huaj brenda tetë viteve të fundit. Aventura në rang kombëtaresh do të fillojë me miqësoren kundër Polonisë, të programuar më 27 maj në Reutlingen të Gjermanisë. Sipas faqes holandeze voetbalprimeur.nl, sfida është shumë tërheqëse, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për testimin të një prej skuadrave pjesëmarrëse në finalet e Kampionatit Europian, Polonisë, por për një përballje midis dy teknikeve “portokalli”: Ari Hanit që drejton nga muaji janar 2008 Shqipërinë dhe Leo Benhakerit, që arriti jo vetëm ta çojë Poloninë midis 16 më të mirave të kontinentit, por siguroi edhe një kontratë të dytë me federatën polake. Ndërkohë trajneri i Polonisë, Leo Benhaker bëri të ditur edhe skuadrën provizore prej 31 lojtarësh, nga e cila do të përzgjedhë edhe 23 futbollistët që do të luajnë në finalet e Euro 2008. Ky grup lojtarësh do të luajë edhe kundër Maqedonisë, më 26 maj dhe Shqipërisë, më 27 maj. Katër portierë, nëntë mbrojtës, nëntë mesfushorë dhe nëntë sulmues ndodhen në listën provizore.
Në ndeshjen e fundit miqësore Polonia humbi 3-0 me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sfida brenda llojit “portokalli” do ta shoqërojë sërish Ari Hanin, pasi do të përballet me Ervin Koemanin, holandezin që tashmë drejton Hungarinë, një nga gjashtë ekipet që bëjnë pjesë së bashku edhe me Shqipërinë në grupin 1 kualifikues të zonës europiane për Botërorin “Afrika e Jugut 2010”.

Apolonia vendos rekord: 11-0 me Tepelenen

Apolonia me fitoren 11-0 ndaj Tepelenës së vendit të fundit, vendosi një rekord në Kategorinë e Parë. Takimi ishte i vlefshëm për javën e 31-të, ndërkohë që skuadra tepelenase u ngjit në kuotën e 96 golave të pësuar në 31 takime. Edhe Bylisi i drejtuar nga Sejdini arriti një fitore të thellë ndaj Bilisht Sport: 9-1. Dy ekipet e tjera që pretendojnë ngjitjen në Kategorinë Superiore, Lushnja e Laçi fituan në transfertë respketicisht kundër Turbinës (2-0) dhe Gramshit (2-1).

Kategoria e Parë
Java 31
Sopoti-Dajti 1-0
Burreli-Erzeni 2-1
Skrapari-Pogradeci 2-0
Apolonia-Tepelena 11-0
Bylis-Bilisht Sport 9-1
Gramshi-Laçi 1-2
Turbina-Lushnja 0-2
Luftëtari-Naftëtari 1-0
ADA-Tomori 1-0

Slaven Biliç rinovon me Kroacinë

Ndërsa kroati Oto Bariç refuzoi të pranonte rinovimin me Kombëtaren e Shqipërisë, Slaven Biliç, i konsideruar si nga trajnerët e rinj më të mirë ne Europë, nënshkroi edhe për dy vitet të tjera me Federatën Kroate të Futbollit. 39-vjeçari, i cili arriti ta çojë Kroacinë në finalet e Euro 2008, do ta drejtojë atë edhe kualifikueset e Kupës së Botës 2010. Kroacia është një kundërshtaret e Polonisë, Gjermanisë e Austrisë në Kampionatin Europian.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›