E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit e PLUS dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë

TIRANE- Punonjësit e PLUS Communication kanë marrë pjesë në një fushatë të dhurimit vullnetar të gjakut, në mbështetje të nevojave të shumta dhe intensive të fëmijëve talasemikë në vendin tonë.

Në përgjigje të thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar, dhjetëra punonjës të PLUS kanë marrë pjesë vullnetarisht në seancat e organizuara në disa ditë të plota në ambiente të ndryshme të zyrave të kompanisë në Tiranë. “Punonjësit e PLUS kanë treguar solidaritetin e tyre duke mbështetur nevojën dhe domosdoshmërinë jetike të këtyre fëmijëve në vështirësi. Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar, ne të gjithë e vlerësuam këtë fushatë si një nismë humane, reale dhe konkrete.” – tha Keti Luarasi, Drejtore e Departamentit të Burimeve Njerëzore tek PLUS Communication.

Mesatarisht në Shqipëri, çdo muaj, evidentohen të paktën dy lindje me probleme talasemie. Afro 500 është shifra aktuale e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje, ndërsa raportohet një numër akoma edhe më i madh të rriturish të prekur. Mbijetesa e këtyre fëmijëve është e lidhur ngushtë me transfuzimin periodik e të vazhdueshëm të gjakut, dhe ky i fundit mund të gjendet vetëm përmes dhurimit vullnetar, që cilësohet si edhe më i sigurti.

Përveç të sëmurëve me talasemi, gjaku i dhuruar nga punonjës të PLUS do të mund të përdoret edhe për të sëmurë me tumore, leuçemi e sëmundje të tjera të cilët e kanë jo vetëm të nevojshme por edhe tepër emergjente marrjen e gjakut.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›