Punonjësit e hekurudhës dhunojnë aktivistët e Aleancës KuqeZi
Aleanca KuqeZi mbajti një tubim gjatë ditës së sotme pranë Stacionit të Trenit. Por, protesta e tyre është prishur nga disa persona që gjendeshin atyre pranë, që sipas AK-së, ishin punonjës të hekurudhës.
Situata është acaruar në momentin kur një prej aktivistëve të AK-së ka qenë duke lexuar një deklaratë për situatën e hekurudhave. Ata janë ofenduar nga punonjësit e hekurudhës dhe në një moment situate ka degraduar në përplasje fizike.
Aleanca Kuq e Zi ka reaguar për këtë ngjarje të rëndë dhe thotë se shpreh keqardhjen për polarizimin e shoqërisë shqiptare në blu dhe roze. Rasti i sotëm është një pasqyrë dramatike e realitetit që shqiptarët po jetojnë thuhet në vijim te deklaratës, për shkak të urrejtjes së induktuar mes tyre prej forcave politike që për 22 vjet vetëm kanë grabitur pasuritë e shqiptarëve, duke varfëruar ditë pas dite jetën e qytetarëve të këtij vendi.
Hekurudhat Shqiptare janë një kompani publike me mijëra të punësuar dhe që si të gjitha ndërmarrjet ende shtetërore, përdoren nga forcat politike për të shpërndarë rroga për militantët e tyre.