E Diel, 1 Nëntor 2026

Puseta thith autoveturën, bashkia u bën apel qytetarëve

Sarandë

Grabitja e njërës prej pusetave shkarkuese të ujërave në rrugën mbi shëtitoren e Sarandës është kthyer në “grackë” për drejtuesit e makinave. Puseta e hapur është kthyer në një gropë “thithëse”, në të cilën është zhytur goma e një autoveture. Drejtuesi i saj shpjegoi se ishte duke ecur me shpejtësi normale, se po të ishte me më shumë se 60 km/orë, do të kishte pësuar dëmtime serioze. Për nxjerrjen e gomës nga puseta, është dashur bashkimi i forcës së 5-6 burrave bashkë. Duke marrë shkas nga ky episod, bashkiakët e Sarandës kanë marrë masa për t’u rehabilituar brenda ditës vendin e rrezikshëm, por edhe për të evidentuar çdo mungesë të vjetër apo të re nëpër qytet. Ndërkohë, ata u kanë drejtuar një apel qytetarëve për ruajtjen e ambienteve publike. Edi Hajdini, shef i kabinetit të kryetarit të bashkisë, tha se: “Bashkia, pa mirëkuptimin dhe bashkëveprimin e mbështetjen e qytetarëve të vet, nuk do të mundet të bëjë atë që duhet për pemët dhe lulet e këtij qyteti, për mosprekjen e linjës së ujit dhe të llambës së ndriçimit publik, për ruajtjen dhe përdorimin e koshave ku hidhen mbeturinat, për mosdëmtimin e pllakave të trotuarit dhe mosndotjen e plazheve”. Ai bën thirrje për të mbrojtur dhe mirëmbajtur çdo vlerë të krijuar dhe çdo investim të realizuar, që përbën infrastrukturën e pushimeve të këndshme në Sarandë këtë verë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›