Pushime në Shqipëri, rritet numri i emigrantëve në kufi
Tiranë- Rikthimi i emigrantëve në Shqipëri për pushimet verore ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit dhe raportohet se situata në pikat kufitare është brenda pritshmërive sa i takon menaxhimit të fluksit të tyre.
Nga pikat kufitare të Korçës kanë hyrë afro 5700 persona dhe 17 mijë automjete. Në pikën kufitare të Kapshticës nuk paraqiten rradhë apo pritje të emirgtantëve edhe pse ka fluks hyrje-daljesh.
Mësohet se pala shqiptare po punon me 6 sportele në hyrje dhe 2 në dalje kurse greke me 2 në dalje dhe 1 hyrje. Situata në pikën kufitare të Kakavijës paraqitet me normale sa i takon fluksit të hyrje-daljeve, në 24 orë kanë hyrë mbi 2700 shtetas dhe rreth 790 automjete, shifra thuajse të njëjta edhe sa i takon daljeve.
Mësohet se pala shqiptare po punon me 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, ajo greke me nga 2. Sa i takon pikave portuale mësohet se në portin e Durrësit kanë mbërritur 4 tragete, me 2500 udhëtare dhe 800 automjete teksa po punohet me 25 sportele.
Ndërkohë nga pika kufitare mësohet se fluksi pritet të rritet gjatë ditëve në vijim sidomos në muajin Gusht kur marrin pushimet pjesa më e madhe e emigrantëve që punojnë në vendet e huaja.
Ndërkohë që policia ka bërë thirrje që të shmangen oraret e pikut të ditës teksa shumë postoblloqe policie janë ngritur për të lehtësuar qarkullimin. Emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendet fqinjë si çdo festë edhe gjatë pushimeve verore vendosin të kthehen në vendlindje pranë të afërmve të tyre.
Po ashtu edhe shumë shqiptarë që prej liberalizimit të vizave kanë zgjedhur nga viti në vit që të pushojnë jashtë vendit, kryesisht në Turqi, Greqi dhe Itali por jo pak herë kanë hasur fluks në pikat kufitare duke i bërë të presin orë të tëra për të kalaur kufirin.
/IDEA/