E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushimet, kosovarët shpenzojnë në Shqipëri rreth 200 mln euro

PRISHTINE - Pushuesit kosovarë shpenzojnë Çdo vit në bregdetin e Shqipërisë deri në 200 milionë euro. Këto shifra bëhen të ditura nga ekspertët e turizmit në Kosovë, sipas të cilëve, gjatë muajve të verës pushimet në bregdetin shqiptar i kalojnë 700 mijë deri në 800 mijë persona dhe shumica prej tyre orientohen në bregdetin e Durrësit e më pak në Vlorë e Sarandë.

“Vlerësohet se pushuesit kosovarë për pushimet verore në bregdetin e Shqipërisë çdo vit i shpenzojnë rreth 200 milionë euro”,- tha për “Zërin” Zekë Çeku, ekspert i turizmit.

Sipas tij, shumë kosovarë që punojnë në vendet e ndryshme të Evropës, para se t’i fillojnë pushimet verore në vendlindje, ndalen në bregdetin shqiptar, ku takohen me familjarët e tyre nga Kosova.

“Rreth 70 për qind e kosovarëve shpenzimet në bregdet i kanë të mbuluara nga familjarët e tyre që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, të cilët kanë një standard më të lartë jetësor, prandaj edhe bëjnë shpenzime më të mëdha në bregdet.”- shprehet Çeku.
Sipas tij, shpenzimet mesatare të një familjeje pesë anëtarëshe në bregdetin e Shqipërisë për 10 ditë shkojnë deri në 1500 euro, mirëpo ka edhe nga ata që shpenzojnë më pak.

Në Panairin e Turizmit që u mbajt muajin e kaluar në Prishtinë, Shqipëria u përfaqësua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT).

Drejtorja e Promocionit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në AKT, Anisa Sheldija, pranoi se turistët nga Kosova përbëjnë edhe numrin më të madh të turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Sipas saj, vetëm gjatë vitit të kaluar qytetarët kosovarë zunë 48 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve që vizituan Shqipërinë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›