REPORTAZH/ "Shkolla e Kalasë", aty ku mësuan burrat e dijes
Pranë kishës “Shën Maria” të Kalasë së Elbasanit, në vendin ku është varrosur babai i gjuhës shqipe, Kostandin Kristoforidhi, ngrihet një nga godinat historike të arsimit shqiptar, e cila daton nga viti 1736 dhe që në shekuj nuk e ka ndërruar asnjëherë destinacionin e saj në shërbim të dijes.
Godina historike është ndërtuar me kontributet e vetë besimtarëve të lagjes Kala të Elbasanit, në vitin 1736. Bëhet fjalë për rreth 35 mijë aspra që sollën në jetë këtë shkollë laike që do të bëhej shenja e diturisë dhe e ardhmërisë kombëtare.
Në këtë godinë u mbajt kongresi i arsimit që njihet si “Kongresi i Elbasanit” nga 2-9 shtatori 1909, ndërsa në 1 dhjetor 1909 kjo do të ishte edhe godina e shkollës së parë me emrin “Normale” e njohur tashmë si universiteti i parë shqiptar.
Pikërisht në këtë godinë do të hapej më pas në vitin 1922 edhe shkolla Ushtrimore, laboratori i shkollës Normale që do të përgatiste mësuesit e ardhshëm të arsimit tonë mbarëkombëtar. Shkolla e kalasë është ndërtuar për qëllime arsimore në vitin 1736, dhe është e para vepër filantropike për shërbime publike që ngrihet në Elbasan nga vetë qytetarët e qytetit dhe që do të pasohej më pas nga vepra të tjera publike dhe arsimore që do të ndërtoheshin me paratë e vetë iniciatorëve.
Në kohën e diktaturës komuniste kjo godinë ka shërbyer edhe si shkollë, por edhe si muze arsimi dhe asnjëherë nuk ka ndërruar destinacion.
Ndërkohë, nga kjo shkollë u përgatitën dhe shumë normalistë, ndërsa në vitin 1941, ish Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, dha urdhër që rreth 400 normalistë të shkojnë në të gjitha trojet shqiptare për të hapur shkolla shqipe në Kosovë, në Çamëri, në Maqedoni e Mal të Zi.
Pikërisht nga kjo shkollë e cila ndodhet brenda oborrit të Kishës “Shën Mëria” doli babai i gjuhës shqipe, Kostandin Kristoforidhi, si edhe akademikët e mëdhenj që nga Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Aleks Buda, Mahir Domi e deri te Ylli Popa e shumë e shumë të tjerë që i dhanë emër shkencave shqiptare edhe në botë.
Pas vitit 1945 kjo godinë u kthye në shkollë 8 -të vjeçare ku edhe mori emrin e lëvruesit të gjuhës shqipe Kostandin Kristoforidhi.
E ruajtur mirë nga banorët e lagjes “Kala”, e mirëmbajtur nga famulltari At Nikolla Marku, sot kjo shkollë e pagëzuar me emrin “Zëra jete” është kthyer në një ambient asimor për fëmijët me zhvillim të ngadaltë mendor, për t’i ndihmuar ata të integrohen në shoqëri . Aty ku është mbajtur “Kongresi i Elbasanit” (2-9 shtator 1909), puon sot një personel të trajnuar nga Karitasi i Bolonjës (Itali), që synon integrimin në shoqëri të kësaj kategorie në nevojë.
...