Plagoset i riu duke pastruar armën
Shkodër
Vetëplagosja me pistoletë nga pakujdesia i ka kushtuar rëndë një 30-vjeçari nga Shkodra, i cili pas daljes nga spitali do të duhet të përballet me drejtësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 11:30 të së hënës, në lagjen “Daniel Matlia” të Shkodrës. Sipas policisë lokale, Arben Muja, 30 vjeç, në momentin që ka qenë duke pastruar pistoletën që mbante pa leje, është plagosur në këmbën e majtë. I riu është dërguar menjëherë në spital nga familjarët, ku dhe ka marrë ndihmë e parë mjekësore. Gjendja shëndetësore e të plagosurit është përmirësuar, ndërkohë që në spital ai po mbahet nën ruajtjen e policisë, pasi akuzohet tashmë për armëmbajtje pa leje.
#