Pushojnë reshjet e borës, zona të shumta në veri ende në izolim

Ndryshe nga ditët e mëparshme, situata e motit në veri dhe juglindje të vendit duket më optimiste, ndonëse temperaturat janë ulur ndjeshëm. Reshjet e dëborës janë ndërprerë që prej mesditës së djeshme, megjithatë pasojat negative tek banorët e izoluara mbeten sërish serioze. Problemet dhe izolimi i komunave vazhdon të mbetet një panoramë e njëjtë me ditët e kaluara, ndërsa sot është shtuar edhe më shumë prania e ngricave.
Në qarkun e Kukësit me ndërprerjen e reshjeve të dëborës është krijuar mundësia për pastrimin e rrugëve. Sot janë angazhuar të gjitha kapacitete njerëzore dhe motorrike për të zhbllokuar rrugët, si dhe po punohet për akset që lidhen me Peshkopinë, Krumën, Shishtavecin dhe komuna të tjera. Aktuaklisht janë 7 komuna të bllokuara si Arrën, Bushtricë, Kalis, Grykë e Ajës, Zapod, Shishtavec dhe Topojan. Temperaturat kanë pësuar ulje të ndjeshme deri në minus 10 gradë duke bërë që në rrugë të krijohen ngrica dhe dhe të dëmtojë ndjeshëm rrjetin e ujit të pijshëm. Një emergjencë është shënuar natën e mbrëmshme ku një i moshuar nga Hasi është transportuar drejt spitalit të Kukësit pas shqetësimeve me apendesitin, ndërkohë që në disa komuna janë shpërndarë edhe pako me ushqime.
Në Qarkun e Dibrës qindra banorë vazhdojnë të mbeten të ngujuar totalisht nga reshjet e dëborës, ndërsa bëjnë apel vazhdimisht për ushqime, medikamente, por edhe për evakuim në një vend më të sigurt. Një grua shtatzënë, 24 vjec nga fshati Ujmir në Dibër ka pasur probleme të rënda shëndetësore, si pasojë e mungesës së ndihmës mjekësore. Një helikopter ka tentuar dy herë për ta transportuar por kushtet e motit në këtë zonë nuk e kanë lejuar. Po ashtu në Bulqizë në komunën Ostren janë shembur çatitë e 6 banesave. Këtë fakt e ka njoftuar kryetari i komunës,iI cili theksoi se çatitë janë shembur si pasoje e trashësisë së borës dhe ngricave të krijuara nga ulja e temperaturave. Po ashtu dje është shembur edhe çatia e një shkolle 9 vjeçare. Shumë komuna nuk kanë energji elektrike, por edhe ujë të pijshëm.
Në Shkodër ka pasë vetem reshje shiu, ndërsa në Pukë, Malësi të Madhe dhe komunat Gjegjan, Qafë Mali vazhdojnë të jenë të bllokuar, ndërsa në komunën Vermosh ka pas ndërprerje të energjisë elektrike. trashësia e dëborës në komuna ka arritur deri në 2 metra, ndërsa raste emergjente vazhdojnë sërish, si pasojë e virozave të stinës dhe uljes së temperaturave.
Edhe në juglindje të vendit nuk kanë qenë të pakta raste problematike të shkaktuara si pasojë e dëborës dhe temperaturave të ulëta. Temperatura gjatë natës së kaluar ka regjistruar - 11 gradë celsius, megjithatë reshjet kanë pushuar së rëni. Aktualisht në qarkun e Korçës vijon të jetë e bllokuar rruga Korçë-Dardhë në 3 kilometra të saj, pasi trashësia e borës ka kaluar 4 metra. Rastet e emergjencës nuk kanë qenë të pranishme gjatë ditës së sotme, ndërsa po merren masa urgjente për përballimin e situatës.