Pushon bora, komunat ende të bllokuara
Reshjet e dëborës u ndërprenë ditën e djeshme, por komunat e thella vazhdojnë të jenë të izoluara. Rrugët rurale nuk lidhin dot qendrat e tyre me qytetet, ndërsa ato nacionale kalohen vetëm me zinxhirë. Moti i keq, i cili pritet që këtë javë të jetë shumë i ftohtë, ka paralizuar dje dhe sistemin arsimor në disa rrethe, jo vetëm publik, por dhe atë privat.
SHKODER
Megjithë përmirësimin e motit, rreth 20 mijë banorë në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër vazhdojnë të jenë të izoluar. Problem në këto ditë tashmë janë temperaturat e ulëta, deri në -10 gradë, të cilat kanë bërë që bora e rënë të ngrijë e të krijojë shtresa akulli, që e bëjnë rrugën të pakalueshme. Aktualisht në të gjithë Qarkun e Shkodrës në rrethet Shkodër, Pukë e Malësi e Madhe numërohen rreth 20 mijë banorë të izoluar, të cilët nuk kanë asnjë komunikim për shkak të bllokimit të rrugëve. Ndërkohë nga Shtabi i Emergjencës Civile i ngritur në prefekturën Shkodër, mësohet se në zonat problematike po vazhdon puna me mjetet borëpastruese dhe hedhjen e skorieve, ndërsa janë në gatishmëri rezervat ushqimore. Nëse gjendja do të rëndohet, sipas emergjencave është gati të ndërhyhet me helikopter në zonat e thella. Shërbimeve të Policisë Rrugore në segmentet problematike u kanë shkuar në ndihmë dhe shërbimet e tjera të policisë si ato të Rendit dhe FNSH-së.
KUKES
Vështirësitë si pasojë e reshjeve kanë qenë të pranishme në rajonin e Kukësit, ndonëse dje dëbora kishte pushuar. Problemet i kanë ndjerë sërish udhëtarët që tentonin të niseshin drejt Tiranës, pjesa më e madhe e tyre studentë. Me gjithë çmimin e dyfishuar të biletave, autobusët dhe furgonët nuk kanë dashur të ndërmarrin rrugën e kthimit, pas pengesave që kishin hasur gjatë rrugës nga kryeqyteti. Policia ka ndaluar lëvizjen e automjeteve të rënda, me qëllim që ato të mos bllokojnë rrugën. Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, situata nuk është konsideruar e jashtëzakonshme. Rrugët nacionale që lidhin Kukësin, Krumën dhe Bajram Currin me pjesën tjetër të vendit kanë qenë të lira, ndërkohë që borëpastrueset kanë punuar për zgjerimin e korsive dhe hapjen e vendeve të shkëmbimit të mjeteve. Nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve pohohet se janë vënë në punë 7 borëpastruese si dhe janë hedhur 170 tonë kripë. Sot pritet që të nisë dhe hapja e rrugëve rurale, ndonëse e pamundur është ajo që lidh Kukësin me Shishtavecin, pasi nga të dy anët e malit që rrethojnë rrugën krijohen ortekë të vazhdueshëm. Ende nuk janë shënuar raste emergjencash, ndërsa policia u ka shkuar në ndihmë disa banorëve të Shëmrisë si dhe një grupi nxënësish që tentonin të udhëtonin nga Bushtrica në Kukës.
PESHKOPI
Bora dhe akulli i ditëve të fundit ka krijuar probleme mjaft serioze dhe në qytetet Peshkopi, Bulqizë e Burrel. Bashkitë e këtyre qyteteve nuk morën masa për pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe shesheve nga akulli e bora. Megjithëse situata ishte problematike dhe mjetet lëviznin vetëm me zinxhirë, në rrugë e trotuare nuk u hodhën skorie e kripë, paçka se në buxhetin e këtyre njësive vendore janë parashikuar edhe fonde për mirëmbajtjen e mjediseve publike në kohë emergjence. Megjithëse një urdhër i Këshillit të Ministrave u jep mundësi drejtuesve lokalë të marrin me qira mjete për përballimin e situatës dimërore, kjo nuk ndodhi për bashkitë e Qarkut të Dibrës. Në rrugët nacionale janë regjistruar: në maloren e Ulzës, Qafës së Buallit, Maqellarës etj.
KORÇE
Nën kontroll e ka cilësuar prefektja e Korçës, Elfrida Zefi, situatën në mbledhjen që ka zhvilluar me Shtabin e Emergjencës. Në këtë takim është deklaruar se të gjitha rrugët nacionale që lidhin Korçën me rrethet e Kolonjës, Pogradecit dhe Devollit janë të hapura nga dëbora dhe të kalueshme vetëm me zinxhirë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rrugët rurale në zonat malore, të cilat ose janë me një kalim ose të pahapura fare. Kështu fshatra të zonave të thella gjenden të bllokuara si ato të zonës së Lekasit, të Shtyllës e Panaritit, të zonës së sipërme të Lumit të Devollit dhe ndonjë fshat të zonës së Prespës. Për të shmangur rreziqet nga rrëshqitja në shtresat e akullit, të cilat janë të pranishme në të gjitha rrugët nacionale dhe rurale, dje u shpërnda kripë, skorie e granile. Burime spitalore kanë pohuar se në urgjencën e spitalit të Korçës gjatë ditëve të fundit kanë qenë vetëm 8 persona që janë paraqitur me fraktura të ndryshme, të shkaktuara nga rrëshqitjet në akujt e rrugëve e trotuareve.
Rrëshqet toka, evakuohen banorët
SARANDE - Një rrëshqitje masive e tokës ka ndodhur ditët e fundit në fshatin Shalës, si pasojë e së cilës janë dëmtuar shtëpi e janë evakuuar banorë, ndërkohë që dëme janë shënuar edhe në bagëti. Shtabi i Emergjencave të nënprefekturës ka vlerësuar situatën në një takim të posaçëm dhe pritet reagimi i strukturave qendrore të qeverisjes. Moti i ngarkuar me reshje të shumta duket se ka ndihmuar në rrëshqitjen e tokës në një sipërfaqe të gjerë në fshatin Shalës të komunës së Markatit, rreth 60 km larg qytetit të Sarandës. Specialisti i emergjencave dhe inxhinieri gjeolog nga nënprefektura e Sarandës kanë parë situatën në vend dhe mbi bazën e informacionit të grumbulluar është vlerësuar situata në një takim të posaçëm në nënprefekturë. Sipas nënprefektes Elsa Gjini, ngjarja është me origjinë gjeologjike, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm e kanë stimuluar rrëshqitjen e masivit të tokës. "Janë evakuuar dy familje dhe nëse do të vazhdojë kështu, do të duhet të largohen edhe familje të tjera nga kjo zonë", pohoi Gjini, sipas së cilës është njoftuar dhe Drejtoria e Emergjencave në Ministrinë e Brendshme. sh.d
Moti i keq, ministri Nishani mbledh Shtabin e Emergjencës
TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani mori dje informacion të detajuar mbi situatën e emergjencës nga moti i keq në disa zona të vendit gjatë një takimi të thirrur me krerët e Policisë, Emergjencave Civile, si dhe zyrtarët vendorë, të zonave që janë prekur nga ngricat dhe reshjet e dëborës. Sipas të dhënave të konfirmuara nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, situata është përmirësuar në pjesën më të madhe të zonave që kanë qenë të bllokuara. Zëdhënësi Fatmir Konja tha se të gjithë akset që më parë kanë qenë të bllokuara nga dëbora tashmë janë të kalueshme tërësisht dhe disa prej tyre me zinxhirë. “Shtabet e emergjencës nën drejtimin e prefektëve të qarqeve po punojnë intensivisht për zhbllokimin e komunave të bllokuara gjatë këtyre ditëve”, tha Konja. Sipas të njëjtit burim, aktualisht po punohet për zhbllokimin e rrugës për në komunat Shishtavec e Topojan në Kukës, si dhe Sllovë e Kala të Dodës në Dibër. Nishani, ka kërkuar nga vartësit e tij në qendër dhe në bazë që të punohet për zhbllokimin e komunave, që kanë mbetur të izoluara në të gjithë vendin.
Zonat e bllokuara
KUKES
Rruga që lidh Shishtavecin dhe Topojan në Kukës. Komunat Zapod, Kalis, Ujëmisht, Bushtricë, Grykë Çajë, Arrën të rrethit të Kukësit dhe Lekbibaj dhe Bytyç të rrethit të Tropojës.
DIBER
Komunat Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Reç në rrethin Dibër, komunat Ostren, Trebisht e Martanesh, në rrethin e Bulqizës dhe komunat Xibër dhe Macukull në rrethin e Matit.
SHKODER
Rrugët e komunave Iballë dhe Qelzë të Pukës, Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe.
POGRADEC
Komuna Velçan në rrethin e Pogradecit.
ELBASAN
Të bllokuara komunat e Librazhdit Stërblevë dhe Stravaj.