Vazhdon gara e atyre që duan të bëhen milionerë në ALSAT
Të tjerë milionerë në vitin 2009. Një nga firmat më të njohura në llojin e vet “Kush do të bëhet Milioner”, vijon garën e vet edhe këtë vit në televizionin ALSAT. Tanimë ka mbërritur në pjesën e katërt. Përgjatë një ore, ky program i njohur edhe për hapësirat shqiptare sjell emocione të forta, jo vetëm për konkurrentët, por edhe publikun. Veton Ibrahimi vazhdon performancën e tij në këtë spektakël. Ky edicion, i pari për vitin 2009, nis me një vajzë të re, e cila ka entuziazmuar të pranishmit. Arkitektja nuk rrezikon deri në fund, megjithatë është shembulli se edhe kur ndalet në gjysmë të rrugës, kur humbet, ajo fiton. Fiton teleshikuesin me paraqitjen e saj dinjitoze. E ndërsa arkitektja është tërhequr, konkurrenti përballë saj, i apasionuar pas arbitrimit të ndeshjeve të futbollit, ka vazhduar lojën, duke rrezikuar më tej. Pavarësisht fundit, mbi të gjitha kuizi është një fitim njohurish që nga fusha e sportit, shkencës, kinematografisë, personaliteteve e organizatave të njohura e të panjohura, etj. e deri te kuriozitetet për veshjet, lumenjtë, Eurovizionin, instrumentet, futbollin, etj., etj. Ajo çka e bën interesant këtë spektakël nuk është vetëm përgjigjja e saktë, por edhe mënyra se si konkurrentët i argumentojnë ato, duke shpalosur jo vetëm njohuri, por duke bërë edhe spektakël. Edicioni i katërt, që do shfaqet sonte në orën 21:00 në ALSAT për teleshikuesit shqiptarë ofron edhe për këtë vit shumë emocione, ankth, por edhe shumë njohuri. Bashkë me konkurrentët edhe publiku provon njohuritë e veta, nëse mund të bëhet milioner.