Rinas, “Belle Air” ngujon 20 orë pasagjerët në terminal
Nga Rinasi Ferdinand Dervishi
Rreth 200 pasagjerë, klientë të linjës ajrore “Belle Air” kanë konsumuar, jo për faj të tyre, një aventurë të pakëndshme gjatë dy ditëve të kaluara në ambientet e Aeroportit të Rinasit. Ata janë bllokuar në terminal që nga pasditja e të dielës, 4 janar, dhe kanë mundur të nisen në drejtim të Bergamos (Itali), vetëm pas orës 13:00 të ditës së djeshme, 5 janar. Sipas pasagjerëve të intervistuar nga “Panorama”, shkaqet e reklamuara nga punonjës të kompanisë, fillimisht kanë qenë krejt të pajustifikueshme, ndërsa të nesërmen nisja nuk është bërë për shkak të motit të keq, një fenomen që ka ndërprerë jo vetëm fluturimin e tyre. Nga ana tjetër, autoritetet e kompanisë “Belle Air”, gjithashtu të pyetura drejtpërdrejt nga gazeta, i hodhën të gjithë fajin motit të keq, që sipas tyre është bërë shkak për dy ditë me radhë për ndërprerjen e fluturimeve.
“Duhet të niseshim që në orën 18:10 të së dielës, nga Rinasi për në Bergamo të Italisë, por kur u interesuam na thanë se udhëtimi ishte shtyrë për në orën 21:00. Kur kjo orë afroi na thanë se nisja do të bëhej në orën 23:00, madje na bënë edhe çekinin, na vulosën pasaportat, pra zyrtarisht dolëm nga Shqipëria. Por sërish avion për ne nuk pati. U acaruam shumë...”, rrëfen për gazetën, përmes telefonit, situatën e dy netëve më parë Arben Baze, një nga pasagjerët e bllokuar. Sipas tij, oraret e komunikuara nga punonjës të “Belle Air” u bënë si ajo loja e kungulleshkës, duke shkuar në premtimin e fundit se avioni do të nisej në 24:15. “Dikur na komunikojnë se avioni ka mbërritur, por shtojnë se ka dalë një tjetër problem, se piloti ka refuzuar të niset, pasi ka mbushur orët e udhëtimit...”, rrëfen Arbeni, kalvarin e familjes së vet dhe njëkohësisht të dhjetëra të tjerave, ku fëmijët e vegjël ishin një shqetësim më vete. Dikur të gjithë janë sqaruar e bindur se avion nuk do të ketë, por problemet kanë vazhduar me strehimin e pasagjerëve. Sipas Arben Bazes, vetëm rreth 30 pasagjerë u strehuan nga kompania në një hotel, ndërsa të tjerët, të “qerasur” vetëm me nga një sanduiç, e kaluan natën në stolat e terminalit. “Të nesërmen, më 5 janar, tjetër histori, pasi na bllokoi mjegulla. U nisëm me avionin e parë, aty rreth orës 13:00. Unë rrezikoj të humbas punën, pasi duhet të isha paraqitur sot, sipas akordit me punëdhënësin. Të njëjtin hall e shprehnin edhe të tjerë hallexhinj, që u bllokuan si edhe unë”, përfundon Arbeni.“Ishin që të gjitha pasojë e kohës së keqe. Edhe vonesa e datës 4 janar, edhe ajo e sotmja, 5 janar”, sqaroi për gazetën Gëzim Çanga, kryemenaxheri operacional i “Belle Air” në Tiranë. Sipas të njëjtit, vonesa e datës 4 ishte vetëm 4 orë, pasi në orën 22:00 avioni ishte gati për nisje. Por në këtë kohë, Aeroporti i Rinasit ishte mbyllur për shkak të motit të keq. “U munduam që të sqaronim pasagjerët dhe të bënim gjithçka që t’i lehtësonim. Problemet e datës 4 janar nuk kanë asnjë lidhje me refuzimin e pilotit. Kjo duhet të jetë ndonjë sajesë nga ato që shpiken nga policë, apo roje të rëndomtë, për të bindur pasagjerët”, shpjegoi kryemenaxheri Çanga, duke premtuar se gjatë natës së sotme (djeshme), 5-6 janar, nuk do të ketë mbartje të problemeve të nisura.
Mjegulla bllokon 25 fluturime nga Rinasi
Një mjegull e dendur, si rrallëherë, bllokoi totalisht udhëtimet e avionëve nga Rinasi dhe në drejtim të tij paraditen e djeshme. Për rrjedhojë rreth 25 fluturime në të dyja kahet u pezulluan. Sipas drejtuesve të aeroportit, kjo situatë është në duar të vetë natyrës, pasi rregullat strikte parathonë se në rrethana të tilla nuk mund të lëvizin as avionë specialë. Për fat të keq, dita e djeshme duket ishte përzgjedhur për udhëtim nga një shumicë pasagjerësh, kryesisht emigrantë në vende të ndryshme të Evropës. Kështu bllokimi i udhëtimeve grumbulloi në Rinas mijëra njerëz, një masë aq e madhe, saqë në terminal nuk mund të lëvizje lirshëm, pa u kërkuar ndjesë të tjerëve për të të bërë pak udhë. Por problemi më i madh për të gjithë mbetej mungesa e informacionit. Shumicës i kishte kaluar koha e nisjes së avionit dhe të dhënat për një tjetër orar ishin thjesht të pagjetshme. “Se vret mendjen askush të na sqarojë se kur do të nisemi. Unë kam gjithë paraditen që pres. Jam nga Lezha. U nisa që në pesë të mëngjesit, se avioni ishte në orën 07:20. Që nga kjo kohë, as këta të agjencisë, as këta të informacionit, nuk dinë të më sqarojnë se kur do të nisem. Nëse nuk nisem sot, rrezikoj punën në ndërtim, në Itali”, flet i revoltuar Besnik Skandaj, një emigrant që punon si murator. Por duket se problemi më i madh, që mjegulla shkaktoi, shkoi në adresë të pasagjerëve që kishin prenotuar udhëtime në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë. “Kam djalin për të nisur. Por punë që s’bëhet. Na thanë se vende të lira ka vetëm në datën 8 ose 13 janar”, shpjegon Fran Bardhi, nga Malësia e Mbishkodrës. Sipas tij, i biri tashmë e ka shumë problem nisjen, pasi humbi në Romë avionin e tranzitit për në Toronto të Kanadasë. “Tani duhet gjetur një tjetër okazion, pasi biletat me tranzit në mes janë të vështira të gjenden në fillim të vitit”, sqaron Fran Bardhi.