E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, 13 shtete pa ambasadorë

 

Aristir Lumezi

Marrëdhëniet e ndera mes Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha lënë vendin pa ambasadorë. Janë mbi 13 shtete në të cilat Shqipëria përfaqësohet nga të ngarkuarit me punë, të cilët emërohen nga Ministria e Jashtme. Duket se marrëdhëniet jo normale institucionale mes Presidentit të Republikës dhe kreut të Ekzekutivit, por dhe raportet e ftohta mes Presidentit dhe Kryetares së Parlamentit, nënkryetare e PD-së, kanë krijuar në përfaqësimin diplomatik të vendit tonë në botë një imazh aspak serioz për një vend që kërkon me insistim të anëtarësohet në familjen e vendeve evropiane. Shqipëria nuk ka përfaqësuesin e lartë të saj diplomatik në vende me rëndësi strategjike për çështjen kombëtare, siç është njohja e shtetit të Kosovës. Nëse do t’i hedhim një sy hartës së vendeve ku mungon zyrtari i lartë i shtetit shqiptar, do të shohim se ne nuk kemi ambasadorë në ato vende që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe më keq akoma, bëjnë lobing me vende të tjera për të injoruar shtetin e ri. Shqipëria nuk ka ambasador në Francë, por as në Rusi, Beograd, Spanjë, Maqedoni, por dhe Egjipt. Vendi i madh arab drejtohet nga i ngarkuari me punë i Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që dimë se Kajro luan një rol të fuqishëm në rajon për mosnjohjen e shtetit të ri të Kosovës. Por ajo që bën përshtypje është se përplasjet mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit Berisha kanë lënë pa ambasador dhe kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën që nga maji i 2007. Që atëherë, edhe pse u hap ambasada e shtetit të Kosovës në Tiranë, Shqipëria ende nuk ka hapur selinë e saj diplomatike dhe nuk ka emëruar ambasador. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria do të përfaqësohet në Prishtinë nga Islam Lauka, si ambasador. Që atëherë asnjë kërkesë nuk i ka shkuar Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë për të marrë pëlqimin, duke e lënë vakant vendin e Shqipërisë në Prishtinë. Por Shqipëria ka rreth 2 vjet e gjysmë pa ambasador edhe në Egjipt, pas largimit të Viktor Kalemit, kur dihet roli që luan ky vend në rajon për çështjen kosovare. Edhe pse janë këto mungesa, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit nuk ka shkuar asnjë propozim nga ana e qeverisë për emrat e rinj që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këto vende. Duket se rasti i Ferit Hoxhës dhe Kujtim Xhanit, ishin treguesi më i mirë i nivelit të marrëdhënieve mes presidentit dhe kryeministrit. Pasi Komisioni i Jashtëm dha pëlqimin për dy kandidatët për ambasadorë, që në muajin korrik të vitit të shkuar, Presidenti Topi ende nuk i ka dekretuar ata si ambasadorë të Shqipërisë në OKB dhe në Rusi. Por Ministria e Jashtme nga ana e saj ka bllokuar nisjen nga puna të ambasadorit tonë në Japoni, Bujar Bida, të dekretuar nga presidenti një vit më parë. Gjithashtu edhe kandidatura e propozuar nga qeveria, Kujtim Xhani, si ambasador në Rusi, i cili mori pëlqimin e Komisionit të Jashtëm parlamentar, ende nuk ka marrë firmën e Presidentit të Republikës. Ndërkohë pritet të emërohen edhe disa ambasadorë të tjerë, një pjesë e të cilëve u ka mbaruar mandati, kurse pjesës tjetër ose i është kërkuar largimi, ose kanë kërkuar vetë që të largohen nga vendi ku janë caktuar. Spiro Koçit, ambasadori ynë në Serbi, i ka mbaruar mandati dhe pritet zëvendësimi i tij me një tjetër diplomat. Mandati i ka përfunduar edhe ambasadorit tonë në Maqedoni, Vladimir Prela, që prej 7 muajve, ndërsa Arben Çejku, i cili do ta zëvendësojë dhe ka marrë edhe pëlqimin e palës maqedonase, nuk ka nisur nga puna, për shkak se Prela vazhdon të qëndrojë në Shkup. Po kështu emri i diplomatit të ri pritet të caktohet edhe në Mal të Zi. Ndërkohë që Shqipëria nuk përfaqësohet nga ambasador edhe në Rusi pas largimit të Teodor Laços nga Moska. Po ashtu Shqipëria nuk përfaqësohet me ambasador edhe në Gjermani, ku ka më se dy muaj që Ministria e Jashtme shqiptare ka ngarkuar një nga drejtorët e saj, Gazmend Barbullushin, ndërkohë që qeveria ende nuk ka një emër për ambasadorin e ri.

shtetet pa ambasadore

Francë
Gjermani
Kosovë
Rusi
Egjipt
Beograd
Maqedoni
Indi
Japoni
Spanjë
Gjermani
OKB
Mal i Zi

Ferit Hoxha
Qeveria ka propozuar për ambasador në OKB sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha. Komisioni i Jashtëm parlamentar pasi mori në shqyrtim këtë kandidaturë dha pëlqimin e tij duke ia kaluar për dekret Presidentit të Republikës, i cili, deri më tani, nuk e ka firmosur emërimin e tij për në ambasadën tonë në OKB. Gjithashtu Komisioni i Jashtëm ka pranuar edhe kandidaturën e propozuar nga qeveria, Kujtim Xhani, i cili propozohet si ambasador për në vendet e Azisë. Edhe ky pret firmën e Presidentit të Republikës.

Ambasadat e reja
Ndërkohë që janë rreth 13 ambasada pa titullarin e tyre diplomatik, janë duke u hapur ambasada të reja të Shqipërisë në botë. Shqipëria po hap ambasada në Estoni, Norvegji dhe Portugali. Por edhe pse ngritja e infrastrukturës së tyre po përparon, ende asnjë propozim për drejtuesit e tyre nuk ka mbërritur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit shqiptar. Në fakt propozimet në Komisionin e Jashtëm shkojnë pasi një konsultimi mes Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës për emrin e ambasadorit të ri të shtetit shqiptar.   

Minxhozi: Shqipëria, pa ambasador në Kosovë

Deputeti socialist Qemal Minxhozi pak ditë më parë i bëri thirrje qeverisë të hapë ambasadë dhe të caktojë ambasador në shtetin e ri të Kosovës. Deputeti i opozitës, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se Shqipëria duhet të bëjë lobing, që Kosova të futet në rrugën e demokracisë dhe jo gabime, që sipas tij po kryen diplomacia duke mos hapur as ambasadë në shtetin e ri. “Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka ambasadorë në Kosovë, ndër vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Janë 15 vende që në Prishtinë kanë vendosur ambasadorët e tyre dhe mungon emri i Shqipërisë. Kjo është e pafalshme”, akuzoi në Kuvend socialisti Minxhozi. Sipas tij, kjo është mungesë respekti dhe reciprociteti me shtetet përkatëse, në një kohë kur Kosova menjëherë vuri në krye ambasadorin e saj. Socialisti kujtoi se vetë Berisha në shkurt të këtij viti u shpreh se në Kosovë do të jetë ambasadori i ri. Kaluan nëntë muaj dhe në Prishtinë mungon ambasadori shqiptar. Por vërejtjet e socialistit, u shtuan dhe për shtetet e tjera. Minxhozi kritikoi dhe faktin që ka 2 vjet e gjysmë pa ambasador shqiptar në Egjipt, në Kajro. Në një kohë kur Egjipti është ndër vendet kryesore që po bën lobing, që vendet arabe të mos japin pavarësinë e Kosovës. Po kështu ai shprehu habi, se si ka mundësi që një ndër fuqitë më të mëdha në botë, Rusia, Moska lihet pa ambasadorë. “6 muaj nuk kemi ambasadorë atje, që kur është kthyer zoti Laço. Dhe themi se Rusia duhet të zbutet në qëndrimet e saj ndaj Kosovës”, u shpreh Minxhozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›