E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ambasadori në Kosovë, nuk më ka ardhur emri

 

Propozimi i ambasadorit të ri të Shqipërisë në Kosovë nuk ka mbërritur ende në Presidencë. Kreu i shtetit, Bamir Topi foli dje në një intervistë për gazetën “Kosova sot” lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe situatën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Lidhur me dekretimin e Islam Laukës në Prishtinë kreu i shtetit tha se “Emërimi i një ambasadori, sipas Kushtetutës së Shqipërisë duhet të ndjekë disa procedura dhe disa shkallë institucionale, duke u përmbyllur me dekretin e Presidentit të Republikës. Shqipëria duhet të përfaqësohet në Kosovë me diplomatët e saj më të mirë dhe me një ambasador të shkëlqyer”.
Z. President, ky vit duket më i frytshmi për të dy vendet. Çfarë do të veçonit nga zhvillimet politike më të rëndësishme që po i lëmë pas?
Dy janë ngjarjet kulmore: 17 shkurti dhe 4 prilli: Pavarësia e Kosovës dhe ftesa që iu bë Shqipërisë për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit. Janë jo vetëm aspirata, realizimin e të cilave e përjetuam me shumë emocion së bashku, por edhe hapa shumë të rëndësishëm jo vetëm për të ardhmen e vendeve tona, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Këto janë arritje të jashtëzakonshme, që na nxitin të shikojmë me shumë optimizëm të ardhmen dhe me shumë realizëm përmbushjen e ambicieve tona integruese.
Cilat ishin vështirësitë më të mëdha të drejtimit gjatë këtij viti?
Nuk mund të them që ka pasur vështirësi. Qëndrimet dhe vendimet e Presidentit të Republikës kanë qenë gjithnjë konform ligjeve e në respekt të Kushtetutës, me ndjeshmëri njerëzore e institucionale për fenomene e ngjarje të ndryshme. Presidenti i Republikës i është përmbajtur premtimit të deklaruar publikisht, që në momentin e marrjes së detyrës për të qenë mbi partitë politike dhe për të përfaqësuar unitetin e popullit. Pavarësisht ndjeshmërive politike, nuk ka pasur hezitim nga ana e Kryetarit të Shtetit në përmbushjen e këtyre qëllimeve. Dhe ju siguroj se kështu do vazhdojë edhe në të ardhmen.
Z. President, keni deklaruar se pavarësia e Kosovës është zhvillimi më i rëndësishëm në Ballkan në shekullin e 21-të. Si e vlerësoni ritmin e njohjes së pavarësisë?
Kurorëzimi i pavarësisë së Kosovës nuk u arrit lehtë. Ai përmbylli procesin e gjatë, të vështirë, të përgjakur dhe të dhimbshëm të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ajo provoi se e drejta dhe liria e popujve mund të fitojnë ndaj padrejtësisë dhe regjimeve shtypëse dhe se rajoni i Ballkanit mund të kthehet në një hapësirë, ku luftërat dhe konfliktet t’i përkasin së kaluarës. Njohja e pavarësisë përbën një tjetër sfidë. Njohja e saj nga shumë vende me peshë në arenën ndërkombëtare, globale apo evropiane, nuk është e rastësishme. Mbështetja në vazhdimësi e këtyre vendeve dhe e Shqipërisë, së bashku me angazhimin e vetë shtetit të Kosovës do të bëjnë që ky proces, i kushtëzuar nga një sërë faktorësh gjeopolitikë, rajonalë e globalë, të intensifikohet, pavarësisht se duket sikur nuk ecën me shpejtësinë që do të dëshironim. Duke vënë theksin tek rëndësia e vazhdimësisë së këtij procesi dëshiroj të nënvizoj se Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm tashmë.
Në tavolinat janë dëgjuar zëra për ndarjen e Kosovës, pastaj të konfederatave të ndryshme dhe të ngjashme...
Energjitë tona duhet të shkojnë drejt procesit të njohjes së Kosovës, drejt ndërtimit të një shoqërie demokratike evropiane dhe funksionimit të shtetit të së drejtës, drejt gjetjes dhe zbatimit të programeve për zhvillim të ekonomisë kosovare dhe drejt integrimit të saj në NATO dhe Bashkimin Evropian. Shqiptarët nuk kanë kohë të humbin më, me zëra anonimë apo variante shterpë për të ardhmen e tyre. Ata e kanë zgjedhur tashmë rrugën e tyre të integrimit euroatlantik.
Në qarkullim nga disa parti, mbahet gjallë ideja për bashkim, si një zgjidhje e përhershme, e cila siguron një qëndrueshmëri të stabilitetit. Komenti juaj?
Shqipëria dhe Kosova qartësisht dhe me vendosmëri synojnë integrimin evropian dhe euroatlantik. Në përballjen me sfidat e përbashkëta për sigurimin e stabilitetit në rajon, për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe një zhvillim afatgjatë, si dhe për të përmbushur synimet tona, ne jemi bashkë dhe po ashtu do të jemi edhe brenda familjes euroatlantike.
Ju jeni komandant i forcave shqiptare. Si po e ndihmoni Kosovën në formimin e FSK-së?
Forca e Sigurisë së Kosovës është një strukturë, që do t’i shërbejë sfidave të brendshme dhe qëllimeve të jashtme integruese. Ajo kërkon seriozitet dhe vizion bashkëkohor. Shqipëria ashtu si edhe partnerët ndërkombëtare ndihmon me përvojën e saj në këtë drejtim. Strukturat e saj u janë përshtatur hapave të Shqipërisë drejt NATO-s dhe ky është një model shumë i mirë për Kosovën. Strukturat tona të specializuara janë në kontakte të ngushta dypalëshe.
A jeni të kënaqur me nivelin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos sa i përket ekonomisë, ku ende bilanci është tepër modest?
Është e vërtetë se niveli i shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve nuk pasqyron nivelin e shkëmbimeve politike dhe vullnetin politik dypalësh. Ky fakt u evidentua nga të dy Presidentët edhe gjatë vizitës zyrtare të Presidentit Sejdiu në Tiranë. Por kjo mund të jetë një periudhë kalimtare, ku marrëveshjet e nënshkruara dhe programet dypalëshe të miratuara, të mund të japin produktin e tyre pozitiv dhe më shumë intensitet në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare. Vendosmëria e Shqipërisë për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha planet dhe për të ofruar mbështetje maksimale ndaj proceseve tashmë të nisura në Kosovë, dëshmohet sidomos nga ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës dhe nga një sërë projektesh dypalëshe në fushën e energjisë. Efekti pozitiv i ndërtimit të rrugës do të jetë i menjëhershëm, jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në atë rajonal dhe Shqipëria është e vendosur ta realizojë atë brenda afateve.
Z. President, a keni njohuri pse ende Shqipëria nuk ka një ambasador në Kosovë, megjithëse është emëruar Islam Laukaj para pak muajsh?
Emërimi i një ambasadori, sipas Kushtetutës së Shqipërisë duhet të ndjekë disa procedura dhe disa shkallë institucionale, duke u përmbyllur me dekretin e Presidentit të Republikës. Shqipëria duhet të përfaqësohet në Kosovë me diplomatët e saj më të mirë dhe me një Ambasador të shkëlqyer. Procedurat që përmenda më lart, akoma nuk kanë mbërritur në Presidencë për të dekretuar ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë.
A kanë ndryshuar raportet tuaja me Berishën, që kur jeni bërë President?
Natyrisht! Nga raportet e mëparshme personale e partiake, janë shndërruar në raporte institucionale, si përfaqësues të dy institucioneve të ndryshme dhe këto të dytat gjithmonë prevalojnë, në respekt të ligjit e në mbrojtje të Kushtetutës.
A keni frikë se e djathta mund t’i humbë zgjedhjet vitin e ardhshëm?
Kjo pyetje i takon partive politike në fakt. Zgjedhjet politike të vitit 2009 janë prova më e madhe e demokracisë, e pluralizmit politik dhe e integrimit të Shqipërisë. Etika politike dhe transparenca elektorale, të detyrueshme për t’u respektuar, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, do të jepnin garanci të qëndrueshme për zgjedhje të standardeve demokratike dhe nxitje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në votime. E rëndësishme është që zgjedhjet të mbahen sipas standardeve, të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve votues dhe të mos kontestohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›