E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, kokaina e fshehur në film

 

Trazhgim Sokolaj

Trafikantët shqiptarë fshehin pakot e drogave të forta që mbërrijnë ilegalisht në rrugë postare duke përdorur fletë filmi, të cilat “mashtrojnë” skanerët në kufi. Një rast i tillë është zbuluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj Egland Mukës dhe Eduart Smajlit, dy persona të akuzuar për trafikim narkotikësh në rrugë postare nga Argjentina në drejtim të Shqipërisë. Rreth tre muaj më parë në Tiranë u bllokua një sasi prej 560 gramë kokainë, e cila është trafikuar në rrugë postare nga dy të akuzuarit në bashkëpunim mes tyre. Dosja penale në ngarkim të tyre u dërgua dje për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prokuroria tha se i përfundoi hetimet për këtë rast, rreth tre muaj pas arrestimit të personave të implikuar. Më 26 shtator 2008, rreth orës 23:30, Egland Muka dhe Eduart Smajli ranë në pranga gjatë operacionit të koduar me emrin “Asta la Vista”. Nga dy të arrestuarit, Eduart Smalji ishte person me precedentë penalë në Itali në fushën e trafikut të narkotikëve, ku ishte dënuar për këtë vepër penale disa vite më parë.
Kokaina e fshehur me film
Sipas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për këtë rast, mësohet se Egland Muka dhe Eduart Smajli kishin nisur një pako postare nga Argjentina në drejtim të Shqipërisë. Pakoja ishte nisur nga Buenos Aires dhe marrësi i saj ishte Vladimir Mema, rruga “Maliq Muka”, p.11, Ap.6, Tiranë. Nga verifikimet e Prokurorisë rezultoi se emri i marrësit dhe adresa e shkruar nga dërguesit e pakos, ishin të rreme. Pakoja e marrë në datë 26 shtator 2008, në brendësi të saj mësohet se kishte disa enë dhe pajisje kuzhine, ndërsa në dy anët e çantës ishin fshehur porcione qesesh me lëndë narkotike kokainë. Në të dy anët e këtyre qeseve mësohet se ishin vendosur fletë filmi nga ai që përdoret në industrinë e stampimit të fotove, një material ky që sipas ekspertëve shuan efektin e skanerëve që kontrollojnë çantat me anë të rrezeve në pikat e kalimit të kufijve ndërkombëtarë.
Zbulimi i trafikut
Sipas burimeve nga Prokuroria, një sinjal i mbërritur nga policia dhe prokuroria gjermane kanë vënë në lëvizje autoritetet shqiptare. Pasi kanë marrë të dhënat e para nga pala gjermane, policia dhe prokuroria shqiptare kanë marrë masat në pritje të personave që do të merrnin pakon e dyshimtë pranë pikës postare ku ajo ka mbërritur me anë të shërbimit EMS në Tiranë. Personat që janë paraqitur për të marrë pakon, e cila mbahej nga një punonjës i agjencisë, kanë qenë Egland Muka dhe Eduart Smajli. Ata mësohet se kanë pasur për qëllim ta transportonin drogën në drejtim të qytetit të Durrësit, por kjo nuk ndodhi, pasi policia ndërhyri menjëherë në momentin e marrjes së pakos nga dy të arrestuarit.     

Mekanizmi i trafikut u zbulua pas sekuestrimit të valixhes  

TIRANE – Zbulimi i mekanizmit të trafikut të kokainës nga Argjentina në Tiranë është bërë vetëm pas bllokimit të pakos që ishte nisur nga Buenos Aires në drejtim të Tiranës. Pas mbërritjes së pakos në Tiranë, policia me urdhër të Prokurorisë ka bërë bllokimin e saj. Pas sekuestrimit të çantës që kishte mbërritur në rrugë postare, ajo është hapur dhe verifikuar nga hetuesit e çështjes. Ata kanë gjetur në çantë disa enë dhe pajisje kuzhine, ndërsa në pjesën e brendshme të dy kapakëve të valixhes, të vendosura në mes të fletëve të filmit, janë gjetur katër qese me nga 125 gramë kokainë secila. Mbulimi i lëndës narkotike me fletë filmi në të dy anët e qeseve me kokainë, mësohet se është bërë në mënyrë që skanerët e kufijve ndërkombëtare ku kalonte pakoja postare, të mos zbulonin ngarkesën narkotike që ishte fshehur në pako. Sipas Prokurorisë, dy të arrestuarit për këtë rast të trafikimit të drogës nga Argjentina, kanë lëvizur edhe katër ngarkesa të tjera me lëndë narkotike që janë trafikuar në bashkëpunim me persona të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›