E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pushteti” e detyron Lulzim Bashën të shkojë në zyrën e kryeprokurores

Ish-i pandehuri Lulzim Basha hyn në Prokurorinë e Përgjithshme si ministër. Diskutime me Ina Ramën për draftin e Policisë Gjyqësore dhe Antimafian
Thimi Samarxhiu

TIRANË – Dëshira për më shumë “pushtet” e detyroi dje ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, që të shkojë në zyrën e kryeprokurores, e cila vetëm pak kohë më parë kishte urdhëruar heqjen e mandatit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij. Kësaj radhe, ish-i pandehuri Basha ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme si ministër i Brendshëm, dhe jo si i akuzuar për të ashtuquajturin skandali i rrugës “Durrës-Kukës”. I shoqëruar me zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme, ai ka debatuar me stafin e prokurores së Përgjithshme për një sërë çështjesh, por më e rëndësishme është ajo që ka të bëjë me projektligjin për funksionimin e Policisë Gjyqësore. Sipas draftit të përgatitur nga maxhoranca, synohet shtimi i kompetencave të oficerëve të Policisë Gjyqësore, e cila, siç është denoncuar nga ekspertët, - zbeh rolin e prokurorit në fazat e para të hetimit të çështjeve. Ndër çështjet e tjera të diskutuara mes zonjës Ina Rama dhe ministrit Basha, ka qenë edhe zbatimi i ligjit “Antimafia”, i cili konsiderohet ndër nismat më të rëndësishme për qeverinë aktuale.

Takimi
Në takimin e zhvilluar ditën e djeshme në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme kanë marrë pjesë përfaqësues të këtij institucioni dhe të Ministrisë së Brendshme, të cilët mësohet se kanë diskutuar mbi projektligjin shumë të debatuar “Për Policinë Gjyqësore”. Nga ana e tij, Lulzim Basha ka deklaruar sapo ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme se ky ishte një takim pune dhe se tema kryesore e diskutimit ka qenë ligji “Antimafia”. Ky fakt pohohet dhe nga zyra e shtypit e organit të akuzës, e cila, me anë të një njoftimi për shtyp, bën të ditur se “në takim u diskutua si një çështje e veçantë edhe projektligji i ri i përgatitur për Policinë Gjyqësore dhe modalitetet përkatëse të tij. Kryeprokurorja Rama dhe ministri Basha diskutuan gjithashtu për përcaktimin e detyrave konkrete për strukturat e hetimit të Policisë dhe të Prokurorisë për zbatimin e ligjit ”Antimafia”.

Projektligji
Pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në ligjin për funksionimin e Prokurorisë, “molla e sherrit” midis qeverisë dhe organit të akuzës tani është Policia Gjyqësore, për të cilën maxhoranca ka përgatitur një draft ndryshimesh ligjore. Sipas projektligjit të ri të hartuar vetëm pak kohë më parë, prokurorëve u hiqet e drejta për të bërë hetime, të cilin do ta ushtrojnë vetëm oficerët e Policisë Gjyqësore. Prokurorët do të drejtojnë hetimet dhe do të japin urdhra konkretë për oficerët e Policisë Gjyqësore, por pa ndërhyrë në hetime. E drejta ligjore për të bërë hetime është e hetuesve, ndërsa prokurorët do të përfaqësojnë organin e akuzës në gjykatë. Ky projektligj do të përcaktojë marrëdhëniet midis Policisë Gjyqësore dhe prokurorëve, ndërsa do të përcaktohen qartë edhe uljet e ngritjet në detyrë. Debati i vazhdueshme midis Policisë dhe Prokurorisë ka qenë varësia ndaj Policisë Gjyqësore, ndërsa ndër vite është diskutuar se kush mund të kryesojë hetimet në një procedim penal. Në lidhje me këtë gjë mendohet se oficerët e Policisë Gjyqësore do t’u kalojnë institucioneve me të cilat kanë ndërtuar marrëdhëniet e punës, në mënyrë që kontrolli ndaj kësaj strukture të jetë më i fortë dhe të shmanget varësia e dyfishtë. Ky projektligj do të përcaktojë se dosjet penale duhet të qëndrojnë në Policinë Gjyqësore, e cila duhet të hetojë dhe t’u komunikojë akuzën të pandehurve, ndërsa prokurori mund të kërkojë të njihet me dosjen dhe të urdhërojë veprime hetimore sipas rastit duke ia deleguar veprimet procedurale Policisë Gjyqësore në drejtorinë e policisë ose në komisariatin përkatës. Prokuroria ka qenë vazhdimisht në shënjestër të presioneve nga qeveria gjatë tre viteve të fundit, të cilat janë ulur ose ngritur në varësi të dosjeve që ka pasur institucioni më i lartë i akuzës për eksponentët të lartë të maxhorancës, apo qeverisë gjatë kësaj periudhe.

REAGIMI
Ministria e Drejtësisë

Menjëherë pas përfundimit të takimit Rama-Basha, Ministria e Drejtësisë ka reaguar duke shtuar se “kurrsesi nuk mund të prekin të drejtën e hetimit që Kushtetuta ia jep organit të Prokurorisë”. Sipas burimeve zyrtare, “një ndërhyrje e tillë do të thoshte ndryshim në Kushtetutë dhe për sa kohë Kushtetuta, të drejtën e hetimit ia njeh vetëm organit të Prokurorisë, natyrisht nuk cenohet asnjë e drejtë e organit të Prokurorisë. “Synimi që ka ndërhyrja në këtë ligj është për të përmirësuar mënyrën e procedurës së komunikimit dhe të veprimtarisë së ndërsjellët të oficerit të Policisë Gjyqësore me prokurorin dhe me Policinë e Shtetit, pasi oficeri i Policisë Gjyqësore është një hallkë mes Policisë së Shtetit dhe prokurorit të hetimit të një çështjeje, por gjithmonë jo vetëm e drejta, por edhe udhëheqja e gjithë procesit të hetimit të paraqitjes së akuzës përpara gjykatës është dhe do të mbetet një e drejtë ekskluzive e prokurorit”, – bën të ditur Ministra e Drejtësisë. Gjithashtu, Ministria bën të ditur se baza dhe politika mbi të cilën po punohet për të ndërhyrë dhe për të bërë disa ndryshime në ligj, është një udhëzim i përbashkët i firmosur përpara dy vitesh nga ministri i Brendshëm dhe Prokuroria e Përgjithshme, i cili iu dërgua për zbatim policive në qarqe dhe prokurorisë në rrethe.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›