E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë të lirë ish-përgjegjësin e Fabrikës së Gërdecit

TIRANË - Gjykata e Tiranës la dje të lirë Veiz Muçën, që u arrestua tri ditë më parë për dëshmi të rreme në procesin e Gërdecit. Gjyqtari i gatshëm nuk pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke lënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish- përgjegjësin e fabrikës së demontimit në Gërdec. Për gjyqtarin arrestimi i tij për dëshmi të rreme ishte i paligjshëm. Ndërkohë mësohet se përfaqësuesi i akuzës është shprehur se ka ndër mend ta apelojë këtë vendim, pasi sipas akuzës, i arrestuari ka kryer dëshmi të rreme. Ndërsa është thirrur për të dëshmuar në procesin për tragjedinë e 15 marsit 2008, Veiz Muço ka tentuar t’u devijojë të gjitha thënieve të tij dhënë para hetuesve, me qëllim që të lehtësonte pozitën e të pandehurve. Ai tha në sallën e gjyqit se në fabrikën e Gërdecit nuk ka pasur të punësuar fëmijë, si dhe karrocat nuk saldoheshin nga i ndjeri Qemal Deliu, por nga një saldator i jashtëm. Në një kohë që hetuesve u kishte thënë krejt të kundërtën, sikurse u vërtetua gjatë leximit të tre procesverbaleve të marrjes së tij në pyetje gjatë hetimeve paraprake. Arrestimi i Veiz Muços është bërë para syve të shtatë dëshmitarëve të tjerë, të cilët prisnin për t’u rrëfyer në sallën e gjyqit. Avokatët kërkuan që seanca të mos vazhdonte, pasi asnjëri prej dëshmitarëve nuk do të mund të fliste i lirë pas asaj çfarë kishte ndodhur. Arrestimi i Veizit ishte i pari i këtij lloji në këtë proces të madh. Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, të vetmit në arrest.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›