E Diel, 1 Nëntor 2026

Një kabinet për të mbrojtur të shkuarënNga Mero BazeQeveria e re e kryeministrit Berisha është një vazhdimësi perfekte e gjithë nuancave politike, problemeve dhe krizave që prodhoi qeveria e kaluar. Ajo është ndërtuar duke u bazuar në ruajtjen me çdo

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Një kabinet për të mbrojtur të shkuarënNga Mero Baze

Qeveria e re e kryeministrit Berisha është një vazhdimësi perfekte e gjithë nuancave politike, problemeve dhe krizave që prodhoi qeveria e kaluar. Ajo është ndërtuar duke u bazuar në ruajtjen me çdo kusht të status-quo-së politike, nga e cila mund të rrëzohet papritur dhe ka injoruar për këtë shkak vlerat profesionale dhe aftësitë e ministrave të caktuar për detyra të caktuara. Përveç tre ministrave që janë rikonfirmuar në të njëjtën detyrë, Bode, Olldashi dhe Bregu, për të cilët mund të thuhet se kanë e merituar rikonfirmimin, gjithë emërimet e tjera janë qoka për të ruajtur status-quo-në politike, madje shpesh me kosto shumë të rëndë publike dhe ndoshta ndërkombëtare.

Kështu, nga pikëpamja politike, Berisha ka thelluar linjën e besnikërisë politike duke spastruar dhe të dyshuarit e fundit si admirues në distancë të Bamir Topit, Fatos Bejën dhe Gazmend Oketën, dhe ka krijuar vende artificiale për ministra të tipit Pollo apo Ruli, mjaft që ata të mos përsërisin traditën e tradhtisë në rast pakënaqësish. Nuk ka asnjë shpjegim politik pse duhet të largohej Gjana dhe të vendosej Ruli, përveç faktit që Gjana duron dhe vetëm deputet, kurse Ruli mund të ikte. Po ashtu, nuk asnjë shpjegim pse duhet të ketë dhe kartëvizitë zv/kryeministri dhe ministër Shteti për Genc Pollon, vetëm që ky i fundit të quhet prapë ministër dhe mos të ikë.

Nga pikëpamja e prioriteteve, Berisha ka dhënë shenja të qarta se lufta e tij kundër institucioneve të drejtësisë do të vazhdojë. Ai ka hequr nga detyra Enkelejd Alibeajn, një ish-ministër qesharak dhe gati i papërgjegjshëm në zellin për të shkatërruar shtetin juridik në vend dhe ka emëruar aty një ushtarak, i cili është jashtë kondicioneve profesionale dhe fatkeqësisht dhe fizike për të qenë ministër. Ky është një sinjal i qartë që drejtësia do të drejtohet personalisht nga Sali Berisha dhe gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe institucionet e tjera të drejtësisë në këtë vend, që do të tentojnë të hetojnë ministrat apo familjen e tij, kanë punë me të personalisht. Në mënyrë të qartë kjo është, jo vetëm një karshillëk, por dhe një sinjal i egër i vazhdimit të betejës për të nënshtruar institucionet e drejtësisë, duke u dëshmuar se kush është ministri i vërtetë, me të cilin kanë punë.

Por kjo qeveri do të mbahet mend si rast rekord në historinë e Shqipërisë dhe atë botërore, pasi ka në përbërje të saj dy ministra në kërkim. Ky parlament do të rinisë betejën për t’i rihequr imunitetin Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës dhe nëse një ditë shteti ligjor këtu do të triumfojë, nuk është çudi që ne të pushtojmë faqet e para të gazetave dhe ekraneve të botës, me skena të tilla ku ministrat mund të arrestohen nga policët e vet. Fatmir Mediu, të cilit Berisha ia uli pazarin dhe duke stimuluar peticione publike kundër tij, është tashmë në kabinet, me shpresën se Berisha nuk do të lëshojë deri në fund dhe ai nuk do ta dëshmojë kurrë historinë kriminale të lobimit të djalit të tij për Gërdecin. Lulzim Basha, për të cilin Berisha bëri kujdes të na tregonte dje se do të na pajisë me karta identiteti dhe pasaporta pa viza në Evropë, në të vërtetë është një ministër që familjes së vet, gruas dhe vajzës, i ka hequr shtetësinë shqiptare duke mos besuar te dokumentet dhe identiteti i shtetit shqiptar. Familja e tij tashmë përbëhet nga ish-shtetas shqiptarë që janë tani shtetas holandezë dhe para se të na japë ne lirinë për të lëvizur në Evropë, të cilën na e ka vonuar me problemet e tij, Basha duhet t’i heqë frikën gruas dhe vajzës së tij të kthehen në Shqipëri dhe të marrin dokumentet që prodhon ai. Ky ministër në kërkim, që nuk është çudi një ditë të arrestohet nga policët që ka vartës, është shenja e qartë e përfshirjes që ka vetë kryeministri në historinë e rëndë të korrupsionit që shoqëroi prokurimin e një prej segmenteve më të shtrenjta rrugore në Shqipëri, jashtë të gjitha rregullave të shtetit shqiptar. Me dy ministra në kërkim dhe pa një ministër Drejtësie, kjo qeveri shihet qartë se do të harxhojë energjitë e veta për të mbrojtur të shkuarën e saj dhe jo për t’u investuar për të ardhmen e saj. Ky dimension në të vërtetë është identiteti i vërtetë i kësaj qeverie, pasi gjithë kabineti është forcuar në funksion të mbylljes së problemeve të mandatit të kaluar dhe jo në funksion të ndonjë programi të së ardhmes, i cili ende nuk ekziston. Aq pak i ka kushtuar rëndësi realitetit të ri politik në qeveri Berisha, sa Partia për Drejtësi dhe Integrim, e cila ka një deputet, po aq sa Partia Republikane, nuk është e përfaqësuar në qeveri, edhe pse as kryetari i saj dhe as deputeti i saj nuk kanë mbi shpinë akuza për vrasjen e 26 vetëve, siç ka Fatmir Mediu dhe që nuk kanë peticione publike kundër tyre, por përkundrazi ka pro tyre. Qëndrimi diskriminues i Berishës ndaj tyre tregon qartë se ai po formon një kabinet për të pastruar historinë e problemeve që prodhoi me mandatin e parë, duke harruar se duke ndjekur sërish brumbujt e vet, mund të përfundojë në plehra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›