Pushteti lokal apel publik qeverisë
23/12/2009 Autonomia
Krerët lokalë socialistë nëpër rrethe të vendit i patën drejtuar kohë më parë kryeministrit Sali Berisha një apel publik, në të cilin kërkonin plotësimin e pesë kushteve për autonominë vendore. Në apelin publik kërkohej t’i jepej fund praktikës joeuropiane, korruptive, klienteliste e partiake të granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat marrin çfarë u takon, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike. Po kështu kërkohej të aplikohen taksat e ndara, ashtu siç e përcakton ligji organik i qeverisjes vendore këtu e dhjetë vjet më parë lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive. Njëkohësisht në kërkesat e tyre vendorët kërkuan të anulohet amendamenti i majit 2009 në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore, ku qeveria ndërhyri në rrugë antikushtetuese direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave. Të bëhet kompensimi i të ardhurave të munguara 5 vjet me radhë në arkën e bashkive e komunave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005. Por Rama paralajmëroi dje se nuk do të ketë kthim pas deri në plotësimin e këtyre kushteve.