Rama padi në prokurori për Berishën
23/12/2009 Fyerjet personale
Kreu socialist Edi Rama depozitoi dje një padi penale për kryeministrin Sali Berisha. Kjo padi për kreun e ekzekutivit u referohet fyerjeve personale që ky i fundit ka lëshuar në drejtim të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Padia penale e depozituar dje i shtohet një numri jo të vogël padish që janë bërë së fundi për kryeministrin Berisha. Ndërkohë, referuar deklaratave të Berishës për Ramën, rikujtojmë se në seancën plenare të 26 nëntorit kryeministri nga foltorja e Parlamentit pati përdorur një gjuhë mjaft të ashpër. Këtë herë Berisha nuk ka sulmuar në rrafshin politik, por në rrafshin personal. “Ky zotëri me gjuhë halabaku, që vetëm përgojon familjen time, vuan nga komplekse patologjike të tmerrshme. Çfarë burri është ai, çfarë bashkëshorti është ai, që akuzon gruan se e ka të birin me babanë e vet? Cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? Cili është ai burrë, shqiptar apo ballkanas, që nxjerr gruan e tij lakuriq në sy të botës”, - qe shprehur kryeministri Berisha. Madje, po në këtë linjë, Berisha shkoi më tej, duke u nënvizuar se “ke akuzuar babën si baba të djalit tënd, ke nxjerrë gruan në rrugë. Cili është ai burrë që ngrihet në mes të natës nga shtrati i gruas dhe shkon te shtrati i Dashit?”