E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Ja thëniet për Cekën e Imamin

23/12/2009  Deputeti i PS-së rikujton fyerjet e Berishës
“Krimi i Shkodrës përmes seksionit të përfaqësuar nga Imami dhe Ceka”
Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla u ndal dje te fyerjet e kryeministrit Berisha për Neritan Cekën dhe Arben Imamin. “Po sjell në vëmendjen e opinionit publik akuzat që vite më parë Sali Berisha bënte ndaj ministrit aktual të Mbrojtjes, Arben Imami, apo këshilltarit të tij Neritan Ceka. Kështu, në vitin 1994 Sali Berisha e akuzon Arben Imamin si gjeneral në shërbim të Sllobodan Millosheviçit. Duke iu referuar krimit të 14 janarit në Shkodër, Sali Berisha akuzon në gazetën ‘Rilindja demokratike’ (datë 21 janar 1994): “Zoti Imami, për të merituar spaletat e Millosheviçit, është turp të lyesh duart me gjakun e bashkëkombësve.” Po në këtë linjë, Balla rikujtoi: “Krimi i Shkodrës është mesazh i sjellë në Shqipëri nga Millosheviçi nëpërmjet seksionit të tij në PAD, e përfaqësuar nga Imami dhe Ceka... Krimi i Shkodrës, fill pas vizitës së Imamit në Beograd, na jep të kuptojmë se Millosheviçi nuk ia paska dhuruar akoma spaletat e gradimit zotit Imami me shokë dhe se për këtë zoti Imami dhe PAD-ja u dashka dhënë prova më serioze, dhe se zoti Imami me shokë u dashka lyer duart me gjakun e bashkëkombësve të tij. Zoti Imami, është... krim të vihesh në dispozicion të skemës së njohur të akademikëve të Beogradit për përçarjen e shqiptarëve dhe zhdukjen e tyre”. Gjithashtu, tre vite më vonë në vitin 1997, në gazetën Rilindja Demokratike (datë 19 korrik 1997), Sali Berisha e akuzon Arben Imamin “se në mars të vitit 1997 ky i fundit “u vesh si ushtarak dhe hipi mbi tank për të marshuar drejt Tiranës, në krah të gjeneralëve të jugut.” Ndërsa ndalur në fyerjet për Cekën, Balla lexoi: “Neritan Ceka mbetet shërbëtori kokulur i Ramiz Alisë apo limoni i shtrydhur i Fatos Nanos.” Për Sali Berishën “Neritan Ceka u kujton shqiptarëve Koci Xoxen e dytë” (gazeta “Rilindja demokratike”).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›