E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti, lugati dhe vampiri

Palët në konflikt politik kanë radikalizuar së fundmi gjuhën dhe gjasat janë që do të përshkallëzojnë edhe qëndrimet. Gjithë kush do të donte që kjo të mos ndodhte, por kur bëhet fjalë për pushtetin, zor se ka lëshime. Shkaku i të gjithë kësaj zallamahie politike që nisi pas zgjedhjeve të 28 qershorit, thuhet se po bëhet për demokracinë dhe votën e lirë. Njëra palë që kërkon të mbajë pushtetin thotë se zgjedhjet ishin korrekte dhe për këtë paraqet si dëshmi certifikimin ndërkombëtar të procesit, ndërsa pala tjetër që kërkon të marrë pushtetin thotë se vota u prek dhe kjo ka cenuar rezultatin e zgjedhjeve. Në fakt, kuptimi logjik i votës nuk është as më shumë e as më pak i barasvlershëm me pushtetin. Lakmia dhe dëshira kokëfortë për ta mbajtur ose marrë atë është edhe shkaktarja kryesore pse shqiptarët e drobitur nga ky tranzicion i tejzgjatur janë të rrezikuar të rikthehen sërish në një situatë konfliktuale si ajo e vitit 1997, që na shfaqi në sytë e Europës dhe botës si popull që s‘di të formatojë e jo më të zhvillojë një shtet demokratik. Po t‘i shohësh personazhet në të dy blloqet politike, është e vështirë të gjesh dikë që nuk është përlyer në marifetet e pista, për të marrë pushtet të pamerituar me anë të prekjes së votës. Një batutë e hershme popullore thotë se "lugati e njeh mirë vampirin". Në rrjedhojë të saj, palët përveçse e njohin mirë njëra-tjetrën, e dinë shumë mirë se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet, që nga përgatitja e Kodit Zgjedhor e deri në përfundim, me numërimin e votave, ndaj dhe sot nuk lëshojnë rrugë. Sali Berisha dhe Edi Rama i hartuan dhe miratuan vetë rregullat e lojës, duke u hequr riskun edhe partive të vogla që vegjetojnë për ndonjë thërrime pushteti. Rezultati s‘i premtoi asnjërës palë pushtet absolut, ndërsa Ilir Meta që u prek nga gijotina zgjedhore e dy të mëdhenjve, fliste ku të mundej se LSI-së iu vodhën votat. Kur Berisha i ofroi pushtet, "lehjet e Metës" për vjedhje vote u shuan. Marrëveshja qe e thjeshtë: "Unë të jap pushtet, ti mbro vërtetësinë e zgjedhjeve". Nëse u shkohet fakteve të deklaruara nga vetë palët, situata mund të përmblidhet në një logjikë të thjeshtë. Socialistët i vodhën votat LSI-së, demokratët socialistëve, ndërsa LSI-ja iu bashkua grabitësit më të madh që mbajti pushtetin. Thënë troç, të gjithë janë hajdutë dhe të zhyer në këtë fëlliqësirë zgjedhore që gatuan vetë për t‘ia futur njëri-tjetrit. Pala e vetme e papërlyer dhe e keqpërdorur në të gjithë këtë mynxyrë të gatuar nga ujëshonjëzat politike është populli, që s‘e kuptoi kurrë se sa e vlerë dhe e pavlerë njëkohësisht është vota e tij. Në emrin tënd o popull, pushtetmbajtësit thonë se vota jote ishte e drejtë dhe nuk u prek, por në emrin tënd flasin edhe pushtetkërkuesit që thonë se vota jote s‘kishte vlerë dhe se u deformua. Kështu si po shkojnë punët, me protesta dhe antiprotesta, e siç po duken gjasat, është mirë të bëhesh gati o popull, se të ka ardhur koha të derdhësh prapë gjak, sepse kështu do lugati dhe vampiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›