E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëzit e drejtësisë, kundër projektligjit

Pas kalimit të draftit të ri "Antimafie" në Parlament kanë ardhur reagimet e para. Prokurorët, nën zë, deklarojnë se janë kundër këtij projektligji, pasi akuza nuk është organ tatimor, por institucion që në bazë të ligjit dhe kodeve penale, të sekuestrojë pronat apo pasuritë e vëna nga individë apo grupe me aktivitet kriminal. Njerëzit e akuzës këmbëngulin se rekomandimet e tyre nuk janë marrë parasysh dhe në ligj shkelen të drejtat e njeriut. Ata deklarojnë se, nëse miratohet ky variant i ligjit, atëherë do të kemi mjaft arbitraritet nga punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët mund të hetonin dhe kontrollonin çdo shtetas shqiptar, pa regjistruar më parë një procedim penal. Sipas prokurorisë, Ministria e Drejtësisë duhet që vetëm të rregullonte ligjin e mëparshëm "Antimafia", i cili u shfuqizua pjesërisht nga Gjykata e Lartë dhe t‘i jepte atij ligji fuqi prapavepruese. Pra mund të rregullohej vetëm me një frazë. Sipas akuzës, drafti i ri ka kaluar çdo parashikim. Në të i jepet e drejta Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, të verifikojnë, hetojnë, sekuestrojnë e kontrollojnë pasurinë e çdo qytetari në këtë vend, me argumentin e vetëm se ka një standard jetese tej mundësive të tij. Jo vetëm kaq, por ky ligj aplikohet edhe për persona që dyshohet se mund të jenë pjesë e krimit të organizuar, por ndaj të cilëve nuk ka asnjë hetim të nisur. Sipas akuzës, këtu qëndron dhe problematika kryesore. "Në asnjë vend të botës nuk ka një organ shtetëror që heton këdo në shtetin e tij. Është e drejtë dhe ligjore që kjo të ndodhë në kuadrin e një hetimi mbi krimin e organizuar, i cili kërkon mjete për t‘u luftuar", thanë burimet zyrtare nga akuza qendrore. Edhe kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, Pelivan Malaj, në një intervistë për gazetën "Shqip" ka qenë kundër këtij varianti të ligjit. Ai deklaronte se bizneset dhe ekonomia informate që është në Shqipëri rrezikon shumë nga ky ligj. Ndërkohë, edhe kryetari i Dhomës së Avokatisë së Tiranës ka shfaqur kundërshtitë e veta për projektin e Ministrisë së Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›