Zgjidhen strukturat drejtuese të LDG-së në Korçë
Korçë/Bode dhe Vokshi theksojnë rolin e gruas në procesin e integrimit
Zgjidhen strukturat drejtuese të Lidhjes demokratike të gruas për rrethin e Korçës.
Votat e delegateve të këtij Kuvendi kanë rikonfirmuar në një mandat të dytë deputeten e këtij Qarku, Ledina Aliolli.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas të Shqipërisë Albana Vokshi ka theksuar se strukturat e kësaj organizate prej dy vitesh janë përfshirë në procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve, proces i cili është zhvilluar me transparencë dhe ku konkurrenca ka qenë e hapur.
“Procesi i integrimit të vendit, ka vazhduar më tej Vokshi, nuk mund të kuptohet pa pjesëmarrjen e grave dhe kontributin e tyre në vendimmarrje”.
E rëndësishme në këtë proces përfshirës ka qenë miratimi i ligjit të barazisë gjinore,i cili përcaktoi kuotën 30 për qind të grave në të gjitha nivelet e përfaqësimit. Kjo, sipas Vokshit, për herë të parë është bërë e mundur gjatë qeverisjes së PD, çfarë ka sjellë dyfishimin e numrit të grave në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në nivelet e tjera të politikës dhe vendimmarrjes.
“PD ka sanksionuar edhe në statut kuotën prej 30 përqind për gratë, u shpreh Vokshi, PS vazhdon ende fushatën demagogjike për faktorizimin e grave”.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i PD, Ridvan Bode, i pranishëm në punimet e Kuvendit të gruas demokratike të degës së Korçës,u shpreh se gratë dhe vajzat kanë qenë në vazhdimësi një faktor i rëndësishëm në arritjet e PD, por edhe proceseve integruese të vendit. Megjithëse është bërë mjaft gjatë këtyre viteve,përsëri konsiderohet e rëndësishme përmirësimi i pjesëmarrjes së zonjave dhe një shkallë më e madhe tolerance, për ti konfirmuar ato edhe në poste të larta drejtuese. Sot Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë numëron mbi 15 mijë anëtare dhe synohet ,që deri në zgjedhjet e ardhshme, numri i tyre, të dyfishohet.