Vendim i qeverisë: Kur personi është pa sy, quhet 48% invalid!
Vetëm në Shqipëri, nën pushtetin SALI, po ndodhin jo vetën krime, plaçkitje të pasurive kombëtare, korrupsion qeveritare maksimal, por edhe çudira. Madje, çudira të tilla zyrtare, që as nuk duhen shkuar ndërmend e jo të konkretizohen me vendime qeverie e ligje. Çudia monstër këtë herë është servirur nga institucioni që merret me sigurimin e jetës së njerëzve. Eshtë fjala për ligjin për përcaktimin e shkallës së invaliditetit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, me ligjin e fundit për pensionet e invalidëve, ka menduar e ka vepruar tamam si ish-instituti i propagandës demagogjike marksiste-leniniste, i cili nën dogmën e njeriut të ri, bënte çudira që nuk ndodhnin në asnjë vend të botës dhe me asnjë qenie njerëzore në planetin tokë. Në vitet e komunizmit, dashuria për partinë, invalidin pa këmbë e bënte të ecte në këmbë, atë pa duar e bënte të punonte me kazmë e lopatë, atë pa sy e bënte pilot, piktor, montator, tornitor, shofer e ushtar vigjilent në kufi.
Këtë çudi ka rikthyer në jetën shqiptare edhe qeveria SALIe Instituti i Sigurimeve Shoqërore-Shëndetësore, me ligjin për invalidët. Kush e ka lexuar ligjin për pensionin mbi invaliditetin, ose më saktë, kush është njohur me skemën zyrtare të sigurimeve shoqërore të shpallur prej Institutit të Sigurimeve Shqiptare, patjetër që ndesh një absurd qesharak e çmendarak, të cilin mund ta pjellin vetëm mendjet e qeverisësve shqiptarë. Ky institut ka një Këshill Administrativ i cili ka të drejtën absolute të përcaktojë shkallën e invaliditetit dhe të paaftësisë në punë të personave të dëmtuar. Dhe ja se çfarë përcaktimi komik bënë ky këshill, për disa prej kategorive të invalidëve:
1. Kur personi vuan nga humbja e të dy duarve, ose humbja e një dore dhe e një këmbe, ose humbja e të dy këmbëve, konsiderohet 67 % invalid.
2. Kur personi ka humbur të dy sytë, quhet 48% invalid.
3. Kur personi ka hequr dy veshkat, quhet 33% invalid.
4. Kur personi është me sëmundje mendore të shkallës së parë që nuk trajtohet në institucione mjekimi e izolimi, quhet 35% invalid.
5. Kur personi është i paralizuar 100% nga duart, ose nga këmbët, quhet 60% invalid.
Kështu thotë qeveria SALI! Tani mbetet të gjykohet ky vendim i shpikur vetëm në vendin tonë. Por na duket skandaloz dhe qesharak njëkohësisht një përcaktim i tillë me masë përqindje invaliditeti. Të thuash që domatet, qepët e trangujt, specat e bananet janë kalbur në masën 30, 40 e 50 % kjo pranohet, sepse me këtë mënyrë e me këtë njësi matet masa e dëmtimit të tyre. Por, që të caktosh përqindje edhe në dëmtimin fizik të njeriut, kjo është absurde. Si mund të përcaktoj p.sh, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që duart apo këmbët, janë 67% e trupit të njeriut? Apo ku e di ky këshill, që humbja e syve është 48 % e pjesëve të trupit? Nuk ka asnjë shtet në botë, që aftësia fizike të matet me përqindje. Nuk kemi konstatuar asnjë njeri pa këmbë, ose pa duar, që të jetë 33% i aftë për punë. Sepse vetë fakti, që invalidi nuk ka këmbë, të bind që ai nuk mund të shkoj dot as tek vendi i punës, sikur ta ketë atë edhe prapa derës së dhomës së gjumit. Ose një njeri i sëmurë mendor, nuk mund të quhet 35% i aftë për punë, kur atij i mungon 65% e mendjes! Ose një njeri pa duar, nuk mund të quhet 33% i aftë për punë, sepse minimalisht, ai nuk mund të vesh do as rrobat e tij.
Nuk e dimë, se çfarë lloj pune mund të bëjnë kategori të tilla, por një gjë e dimë me siguri: sot nuk po pranohen në punë ata që janë me sy, me këmbë e me duar dhe jo ata që nuk i kanë këto! Pyesim Institutin e Sigurimeve Shoqërore: Po në rastet kur një person, nuk ka dorën e majtë dhe këmbën e djathtë, sa përqind invalid quhet? Po kur nuk ka kokën?!
