E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti vendor duhet të menaxhojë objektet

16/05/2011  Flet Ylli Cerova, Monumentet e Kulturës të braktisura dhe në mëshirë të fatit

ELBASAN-Monumentet e Kulturës thuajse janë pa zot në Elbasan. Kështu nga një inspektim i studentëve të degës Mastër në Trashëgimi Kulturore pranë Universitetit të Elbasanit u panë nga afër monumentet kryesisht të periudhave të hershme përreth Elbasanit dhe përgjatë via Egnatia. Të udhëhequr nga arkeologu Ylli Cerova studentët kanë parë nga afër gjendjen e monumenteve dhe vlerën e tyre të padiskutueshme. Kështu kjo guidë ka nisur nga bazilika e Tepes në periferi të qytetit të Elbasanit për të vazhduar më pas në shumë monumente të tjera, shumica të paeksploruara dhe rrallë të vizitueshme.

Monumentet e vizituara

Bazilika në Tepe të Elbasanit ndodhet në ullishtat e qytetit shumë pranë tij, çka mund të diktojë se bazilika i takon varrezës së Skampisit. Është e drejtuar nga lindja. Ajo u gjet me mure që ruhen pak mbi tokën Ullishtë. Bazilika i përket disa fazave ndërtimore. Faza e parë e ndërtimit paraqet një bazilikë me tri mjedise të formuara nga dy kolona. Kolonat e ikonostasit janë prej mermeri gri të prura nga një vend tjetër. Në pllakat e ikonostasit me përmasa 102x92 cm, janë gdhendur luanë, kaproj, shpendë të ndryshme, krahas ornamenteve bimore. Ky rindërtim datohet në shek. V e.s. për fatin e keq të kësaj bazilike ndër të parat të ndërtuara në Shqipëri, mungon një tabelë për vendndodhjen e saj, një pronar shtëpie e ka rrethuar me mur brenda oborrit dhe nëse hyn në Bazilikë nuk ke mundësi të marrësh asnjë informacion dhe asnjë pamje të mozaikut. Po ndërkohë udhëtimi vazhdon dhe stacioni i radhës është ai antic Ad Quintum, stacioni i pestë i Via Egnatia. Pranë këtij stacioni ndër objektet më të rralla të ruajtura në këtë lartësi dhe me këtë vlerë ndodhet një stan delesh dhe disa shtëpi. Për të shkuar në stacion është mjaft e vështirë, pasi do të duhet të përvishesh mirë. Në ambientet e saj nuk ka asgjë të mirëmbajtur. Edhe një restaurim i bërë vite më parë është shkatërruar. Cerova thotë se ky stacion ishte ndër më të rëndësishmit e Via Egnatia dhe kishte një sistem të mirëfilltë të grumbullimit të ujit dhe përdorimit për termat, me vende pushimi e gjithçka. Ad Quintum ka qenë stacion për të pushuar më shumë se disa orë pra për të kaluar natën dhe ka pasur një sistem që ti garantonte çdo pushuesi gjithçka. Jo shumë larg stacionit të pestë ndodhet Manastiri i Gjon Vladimirit. Ai u rindërtua nga Karl Topia në shek. XIV, mbi rrënojat e një ndërtese më të vjetër dhe u bë 4 herë më i madh, siç del nga mbishkrimet. Janë tri mbishkrime: latinisht, greqisht dhe sllavisht, me përmbajtje të përafërt, ku thuhet se Karl Topia, mbret i shqiptarëve e ka bërë manastirin për lavdinë e tij. Ky manastir është një nga qendrat më të mëdha kulturore kishtare të Shqipërisë. Ai ka mbijetuar deri më 1944, kur u dogj dhe tani kanë mbetur vetëm muret. Është një monument historik shumë i rëndësishëm i mesjetës shqiptare. Manastiri i Shën Gjon Vladimirit ka pasur një bibliotekë të madhe, që ka humbur, si dhe një koleksion të shkëlqyer ikonash, disa prej të cilave ruhen ende. Në mure ka disa skulptura dhe ornamente më të hershme se të shek. XIV, mbishkrime më të vona, si dhe ka qenë portali i gdhendur mjeshtërisht që është marrë dhe montuar në Muzeun Historik Kombëtar. Ndërkohë stema e Karl Topisë ndodhet në anën e majtë të Portalit të Manastirit të Gjon Vladimirit. Ka formë katërkëndëshe dhe përbën jo vetëm një vepër arti, por edhe një nga stemat më të rëndësishme të historisë së heraldikës shqiptare.

Ajo paraqet një luan të ulur në një front të vogël, si dhe një numër kryqesh të tipit grek, brendashkruar në rreth dhe kryqe të tipit grek latin. Në stemë janë dhe simbolet e zambakëve, që përfaqësojnë stemën heraldike franceze, anzhuine. Vetë Karli ishte bir nga ana e nënës i gjakut mbretëror francez, anzhuin.

Xhamia mbretërore. Gjurmë të via Egnatias në Elbasan janë disa. Nga larg përgjatë shtratit të Shkumbinit duken disa prej tyre. Romakët nga shek. II p.e.r dhe në dy shekujt e parë të perandorisë, në kohën e perandorëve August dhe Adrian ndërtuan -ura druri, me shtresë dërrasash, mbi këmbë me mur guri. Urat e drurit janë më të hershmet se urat e gurit. ë kësaj periudhe është Ura e Topciasit mbi Shkumbin.

Studentët kanë parë me interes shumë rrënojam, të cilat i janë shpjeguar nga arkeologu Cerova duke njohur kështu edhe shumë monumente, të cilat janë publikuar rrallë. Kështu në Shalës në fushën e kësaj komune janë rrënojat e një qyteze antike. Aktualisht në sipërfaqe duken pak gjurmë, por siç shpjegon ai kjo rrënojë antike meriton një ekspeditë të plotë arkeologjike. Me nxjerrjen në pah të këtyre ndërtesave antike ky stacion arkeologjik mund të bëhet pjesë e një guide të plotë të monumenteve të kulturës shprehet Cerova, por do të duhen fonde.

Udhëtimi jonë vazhdon. Zbulimi më i veçantë i gjithë këtij udhëtimi ishte një urë e vjetër antike e mbuluar me një urë të kohës sonë. Cerova tregon se italianët kur kanë ndërtuar urën e re mbi urën e vjetër, kanë ruajtur të plotë qemeri si në asnjë urë tjetër. Por është vështirësish e vizitueshme për shkak të pozicionit të saj. Ta shohësh nga afër formën e ndërtimit është një mrekulli. Për fat të keq në anë të rrugës nuk ka asnjë tabelë. Monumentet e Elbasanit janë të shumta dhe shumë më tepër sesa në listat e shpallura. Mjafton të udhëtojmë me drejtim Kërrabën dhe në majë të saj ndodhet një fortifikim i hershëm që mendohet se është ilir.

Bazilika në qendër të qytetit e lënë në harresë. Bazilika paleokristiane që nga shumë studiues mendohet si katedralja e Shën Pjetrit është lënë në harresë të plotë edhe pse ishin parashikuar gërmime nga Instituti i Monumenteve. Ndërkohë që bëhet fjalë për një projekt për mbulimin e saj me xham për të parë nga afër mozaikun, ky investim duket një fond i shkuar kot pasi nëse nuk zbulohet e gjithë bazilika çdo gjë tjetër është e kotë.

Si vlerën më të rëndësishme të kësaj bazilike, specialistët veçojnë mozaikun brenda saj, që vetëm këtë vit është vizituar nga të paktën 10 mijë turistë. Gërmimet në bazilikën paleokristiane, që ndodhet shumë pranë portës së kalasë së Elbasanit dhe "Rrapit të Bezistanit", nisën në muajin gusht të vitit 2007. Puna nisi pas një sondazhi arkeologjik, duke u bazuar në një dokument të ruajtur në arkivin e Muzeut Etnografik të qytetit të Elbasanit. Një ish-tregtar, Sul Shehu, kishte lënë një dokument ku thuhej se "poshtë themeleve të dyqanit të tij ndodhej një bazilikë". Referuar këtij dokumenti, dy vjet më parë arkeologët nisën gërmimet, të cilat nxorën në dritë mjaft objekte si shtylla mermeri, të gjata rreth 5 metra, me punime dekorative, të ekspozuara tashmë në hollin e Muzeut Etnografik në Elbasan. Gjithashtu, arkeologët që morën pjesë vetë në zbulimin e mozaikut kanë gjetur dhe një kapitel, pjesë zbukurimi që vendoset sipër kolonave, një afresk që ndodhet në mur, si dhe dy varre që i përkasin shekullit të pestë. Mbi bazën e këtyre objekteve, specialistët u shprehën se mendohet që ky monument të jetë shkatërruar përfundimisht në fundin e shekullit VI ose fillimi i shekullit VII të erës sonë. Sondazhi i kryer tregon se bazilika ka përmasa të mëdha, por aktualisht është zbuluar një pjesë e naosit dhe e nefit jugor.

Ylli Cerova: Ja si duhen menaxhuar monumentet

Në këtë ekspeditë të trashëgimisë kulturore prof. Ylli Cerova thotë se vështirësia më e madhe për monumentet është menaxhimi. “Mendoj se janë pushtetet vendore ato që duhet të bëhen më të ndërgjegjshme për pasurinë që kanë. Gjithçka nis qysh nga mirëmbajtja. Mjafton të shikoni stacionin Ad quantum për të parë se sa keq menaxhohet një monument. Bazilika e Tepes apo edhe shumë monumente të tjera janë shprehje të ndërhyrjes së njerëzve. Institucionet që ndodhen në Tiranë nuk mund të ruajnë objektet tona. Duhet vetë ne ti ruajmë dhe ti menaxhojmë në dobi të turizmit. Fillimisht duhet të vihet dorë duke i rrethuar, pajisur me tabela dhe me një pasqyrë informimi. Më pas janë vetë bashkitë apo komunat që duke vendosur një tarifë do të mund të përfitojnë për të mbajtur një person që të kujdeset. Ruajta është një pjesë shumë e rëndësishme. Jam dakord që ndërhyrjet duhet të jenë thellësisht teknike dhe nga specialistët, por ruajtja dhe shfrytëzimi është e njësive vendore”.

Monumentet e rrethit të Elbasanit që duhen vizituar

Bazilika e Klosit në fshatin Klos të Sulovës

Bazilika në kodrën e Tepes pranë qytetit të Elbasanit

Gradishta e Belshit në fshatin Belsh

Gërmadhat antike në fshatin Bradashesh

Hamami i pazarit në qytetin e Elbasanit

Hamami i vjetër në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit

Kala e malit në fshatin Xherije

Kalaja në kodrën e Saragut në fshatin Pajovë

Kalaja e Bodinit në fshatin Bodinit.

Kalaja e Dragotit në fshatin Dragot.

Kalaja e Elbasanit në qytetin e Elbasanit.

Kalaja e Gurit në fshatin Lleshan.

Kalaja e Kabashit pranë fshatit Jeronisht në Shpat.

Kalaja e Kazijes në fshatin Kazije.

Kalaja e Menglit pranë qytetit të Elbasanit.

Kalaja e Peqinit në qytetin e Peqinit.

Kalaja e Valëshit në fshatin Valësh.

Kalaja në fshatin Qafë të Sulovës.

Kalaja në Llixhat e Elbasanit.

Kalaja në majën e qytetit dhe kalaja në majën e Shën- Mërisë në fshatin Bixhëllonjë.

Kalaja në Shkëmbin Mbret në fshatin e Xibrakë.

Kalaja në vendin e quajtur Kulla e Gracenit në fshatin Gracen.

Kalaja në vendin e quajtur Kulla e Kamanakut në fshatin Kamunak.

Klaja në vendin e quajtur Shkëmbi i Shënlliut në fshatin Petresh.

Biblioteka Elbasanit “Qemal Baholli” – Shkrimtarë elbasanas

Kisha e Shën- Mërisë në kalanë Elbasanit.

Kisha e Shën Thanasit.

Kisha e Shëna–Premtes në fshatin Valësh.

Kisha e Shën-Gjon Vladimirit në fshatin Shijon.

Kisha e Shën-Kollit në fshatin Shelcan.

Këmbët e urës antike në Topçias.

Manastiri i Gjon Vladimirit

Rrënojat antike në Pellaz të fshatit Uruçaj.

Rrënojat e Kishës në fshatin Belsh.

Rrënojat e kishës në fshatin Bixëlle

Rrënojat e kishës në fshatin Mamël.

Rrënjat e kishës së Ungjillëzimit në fshatin Mjekërs.

Rrënojat e urës antike në fshatin Fatishe.

Teqja e Baba Xhemalit (1929).

Teqja e Madhe (1803).

Xhamia e Ballies

Xhamia e Nazireshës në qytetin e Elbasanit.

Xhamia Mbretërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›