Berisha-Sanader: Kosova dhe Bosnja duhet të jenë pjesë e NATO-s
Dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, që kanë arritur të jenë pjesë e Aleancës ushtarake të NATO-s, nuk e shohin këtë arritje vetëm si triumf të vendeve të tyre, por dhe si një mundësi për më shumë paqe në këtë rajon. Shqipëria dhe Kroacia fill pas hyrjes së tyre në Aleancë nxisin edhe hyrjen e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dy vendet me probleme sigurie, si dhe të Malit të Zi e Maqedonisë në këtë Aleancë. Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kroacisë, Berisha dhe Sanader, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp pas ceremonisë së ngritjes së flamujve. Të pyetur për vendet e tjera të rajonit, ata premtuan se do t’i mbështesin në rrugën drejt NATO-s. Kryeministri Berisha tha se “anëtarësimi i dy vendeve tona sot është një ogur shumë i mbarë për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin. Ne do të jemi avokatët më të mirë të tyre, sikundër do t’i japim çdo ndihmë të mundshme që procesi i integrimit të tyre drejt NATO-s të eci me hapat e merituara”. Ndërsa ai kroat, Ivo Sanader, u shpreh se "Bosnjë-Hercegovina ka të drejtë gjithashtu për një të ardhme atlantike, po kështu edhe Kosova, të cilën Kroacia e mbështet plotësisht". Ndërsa lidhur me problemin e Maqedonisë, e cila ngeli pas nga programit i Kartës Adriatik 3, Berisha tha se “Karta Adriatik 3 në të vërtetë është Adriatik 5, janë shtuar Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Për sa i përket problemit të emrit dhe diskutimit që ekziston midis dy vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë, ne shpresojmë që ky problem të zgjidhet në interesin më të mirë të të dyja vendeve dhe të mbarë rajonit”.