E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pussy Riot, përse me vendimin ndaj tre vajzave, Moska e ka ekzagjeruar

Gazeta Shqip

Analiza

Kush ka besuar se shteti rus do të ketë fuqinë për të treguar zemërgjerësi, apo butësi ndaj kundërshtarëve të tij, e sheh tani se ka gabuar plotësisht. Kjo për faktin se vendimi i gjykatës së Moskës kundër tri grave të grupit punk, Pussy Riot nuk është vetëm një dënim i rëndë, që prek të akuzuarat personalisht. Me këtë proces krijohet një shembull frikësues: kushdo që në Rusi demonstron kundër sistemit autoritar të Presidentit Vladimir Putin dhe me këtë rast shkel ligjet, do të ndjejë forcën e plotë të aparatit shtetëror.

Nuk ka dyshim: paraqitja e aktivisteve punk në mars të këtij viti në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar ishte një skandal. Sigurisht që aksioni ishte i përshtatshëm për të ofenduar ndjenjat fetare të besimtarëve. Dhe sigurisht që edhe sipas standardeve gjermane, një veprim i tillë në një kishë do të konsiderohej si pengesë për shprehjen e lirisë fetare dhe do të dënohej ligjërisht. Liria artistike dhe liria e fesë i vendosin njëra-tjetrës kufizime. Por në një shtet ligjor, në një rast të tillë do të ishte marrë në konsideratë balancimi i interesave kundërthënëse ligjore. Në Moskë nuk ndodhi një gjë e tillë. Gjyqtares i mjaftoi një deklaratë e thjeshtë: Ky nuk ishte art, por vandalizëm nga urrejtja fetare. Rasti kundër tri grave nuk ishte asgjë më shumë se një proces i montuar. Pothuajse një gjysmë viti ato qëndruan në paraburgim. Mizorisht, menjëherë pas protestës së familjeve të tyre, ato u ndanë nga fëmijët e tyre të vegjël. Aksioni i grave kaloi pa përdorimin e dhunës. Askush nuk u dëmtua me të vërtetë. Rrjedha e ngjarjeve ishte e qartë dhe nuk është kontestuar nga gratë. Pra ka pasur rrugë për të treguar butësi juridike dhe aksioni të konsiderohej si një veprim i pashije dhe i pakuptimtë i grave të reja.

Në vend të kësaj, gratë janë trajtuar si kriminele. Gjatë procesit ato ishin të prangosura dhe të mbyllura në një kafaz xhami. Gjykata nuk i dha pothuajse aspak hapësirë palës mbrojtëse. Edhe të pandehurat kishin shumë pak mundësi për të përshkruar pikëpamjen e tyre të gjërave. Ato i përdorën ato për të kritikuar qeverinë Putin si një regjim shtypjeje. Nuk bëhej fjalë për urrejtje fetare. Ajo ishte një protestë politike.

Pussy Riot, përse me vendimin ndaj tre vajzave, Moska e ka ekzagjeruar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›