Kapet me një kallashnikov e 120 fishekë edukatori i burgut të Fushë-Krujës
Robert Prushi është vënë në pranga pas një kontrolli të kryer nga policia në automjetin e tij
FUSHË-KRUJË - Brenda 12 orësh 4 arrestime janë kryer në zonën e Fushë-Krujës, arrestime që kanë pasur si shkak armët e zjarrit.
Mes të arrestuarve ka qenë edhe një psikolog i burgut të Fushë-Krujës, i cili, sipas policisë, u kap nga shërbimet e saj në një kontroll të befasishëm me një armë zjarri tip automatik, si dhe 4 karikatore me nga 30 fishekë secili. Robert Prushi, 40 vjeç, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e vet kur policia i ka bërë shenjë që të ndalonte.
Pavarësisht ndalimit, ai ka kundërshtuar punonjësit e policisë së Fushë-Krujës, pasi ata e njihnin se ai ishte punonjës i burgut të këtij qyteti. Por ndërkohë nga blutë i është kërkaur dalja jashtë nga automjeti, të cilit i është bërë kontroll. Në bagazh është gjetur një automatik "kallashnikov" me municion.
Burimet zyrtare u shprehën se operacioni u krye rreth orës 22:30 të së hënës, teksa në pranga përfundoi Robert Prushi, banues në lagjen "Kastrioti" të Fushë-Krujës, me profesion edukator në burgun e këtij qyteti.
Arrestimi i tij sipas zëdhënëses së policisë u bë për arsye se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip "Benz" me targa të huaja iu gjet një automatik kallashnikov, i pajisur me një karikator me 30 fishekë. Gjithashtu u gjet edhe një thes i bardhë brenda të cilit ndodheshin tre karikatorë të tjerë me nga 30 fishekë secili. Prushi akuzohet për "armëmbajtje pa leje".
Policia njoftoi se në Fushë-Krujë janë vjedhur edhe disa municione armësh këmbësorie, automatiku dhe karabinave vetëmbushëse. Për këtë është bërë arrestimi i dy personave: 47-vjeçarit Shkëlqim Osmani, lindur në Laç dhe banues në Fushë-Krujë, i dënuar edhe më parë për "vjedhje", si dhe e Ardian Dukës, 46 vjeç, të dy banues në këtë qytet. Ata akuzohen se kanë vjedhur në një magazinë në pronësi të Lutfi Çelës 2 arka me 1800 copë fishekë ushtarakë, si dhe vegla të ndryshme pune.
Ata akuzohen për "vjedhje në bashkëpunim". Ndërkohë, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe për Lutfi Çelën nën akuzën e "mbajtjes pa leje të municioneve luftarake". M.Brunga