Putin: President në 2012? Pse jo, nuk ka asgjë të keqe
Kryeministri rus, Putin, sapo ka dhënë sinjalin më të fortë deri më tani për një mundësi të rikthimit në krye të Kremlinit dhe qëndrimin aty deri në vitin 2024. Këtë dhe deklarata të tjera, ai i ka dhënë nga rezidenca e tij jashtë Moskës. Sipas tij, këmbimi i vendeve mes tij dhe Medvedevit dhe pastaj anasjellas është i njëjtë me atë mes Toni Blerit dhe Gordon Braunit dhe në këtë mes nuk kishte asgjë të çuditshme. Putin, 57 vjeç, është shprehur në lidhje me një sërë çështjesh të brendshme dhe të jashtme që nuk lënë vend për dyshime në lidhje me faktin që ai është personi më i rëndësishëm sot për sot në Rusi, pavarësisht se tashmë në Kremlin është Dimitri Medvedev. I pyetur në lidhje me mundësinë e një rikandidimi për Presidencën, Putin deklaroi se në këtë rast do të duhej që të binte në ujdi me Medvedevin, siç bëri Bleri me Braunin në vitin 2008. "Do të na duhet që të bëjmë një marrëveshje, sepse ne jemi njerëz të të njëjtit gjak dhe të të njëjtave pikëpamje politike", deklaroi ai para gazetarëve të huaj dhe vendas dhe akademikëve në takimin e përvitshëm me ta."Por, në varësi të situatës, ne do të analizojmë gjithçka dhe do të marrim një vendim. A konkurruam vallë në vitin 2008? Jo, as atëherë, as në vitin 2012 nuk do të konkurrojmë", tha Putin. Kjo është edhe deklarata më e fortë që ai ka bërë deri më tani në lidhje me planet e tij për t‘u rikthyer një ditë në Kremlin. Putin përfundoi dy mandatet që ia mundësonte Kushtetuta e vendit të tij , por ai mund të vijë sërish në postin e mëparshëm pas mandatit 4-vjeçar të Medvedevit. Mandati i tij përfundon në vitin 2012, ndërkohë që sipas ndryshimeve të Kushtetutës, Presidenti që do të vijë më pas mund të vazhdojë të qeverisë me dy mandate 6- vjeçarë. Nëse ai do t‘ia dalë në krye të kësaj manovre, atëherë Putin do të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2024, kur të jetë në moshën 72 vjeç. Për momentin, pamja e jashtme dhe situata shëndetësore e Putinit është e kënaqshme dhe njerëzit në Rusi por edhe jashtë saj mendojnë se edhe tani ai është personi që po qeveris realisht Rusinë, pavarësisht se është Kryeministër e jo President. I pyetur se kush e drejton Rusinë, Putin me diplomaci është përgjigjur se Medvedev kontrollon situatën. "Ne nuk na duhet t‘i provojmë asgjë askujt. Në Rusi, ai që qeveris është Presidenti".Sipas analistëve, Putin ka dashur të thotë me këtë se në Rusi klasa drejtuese do të vazhdojë të qëndrojë e bashkuar dhe në push-tet, pavarësisht nëse njëri është Kryeministër dhe tjetri President. Ideja e dominimit të Rusisë nga Putin edhe për një dhjetëvjeçar ka tronditur pakicën liberale në Rusi.