Putin: Retorika e Romnit ndaj Rusisë, e gabuar

Presidenti Vlladimir Putin tha se retorika e ashpër ndaj Rusisë e fushatës së Mit Romnit, është e gabuar. Megjithatë, ai tha se Moska mund të punojë me kandidatin e Partisë Republikane, nëse ai zgjidhet president i SHBA në zgjedhjet e nëntorit në Amerikë.
Në një intervistë për televizionin Russia Today (RT) Putin tha se presidenca eventuale e Romnit do të thellonte ndasitë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në lidhje me planet perëndimore për një mburojë raketore në Evropë.
Putin sugjeroi se ngërçi mund të zgjidhet, nëse rizgjidhet Obama, të cilin e quajti “një person të ndershëm, që me të vërtetë dëshiron të ndryshojë shumë për të mirë.”
Romni tha në kohët e fundit se nëse ai zgjidhet president, Rusia mund të presë më pak “fleksibilitet" nga Uashingtoni.
Rusia thotë se mburoja e planifikuar raketore paraqet kërcënim për Moskën.