E Diel, 1 Nëntor 2026

Putin, biznesmenëve: Greqia problematike, mos investoni!

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një deklaratë që nuk është pritur aspak mirë në Greqi, kur e ka cilësuar këtë të fundit, një “vend problematik për investime”. 

Gjatë një takimi në rajonin e Rostovit, Putin deklaroi se biznesmenët duhet të investojnë në zona të tilla dhe jo jashtë Rusisë. 

“Pse investohet në vende problematike si Greqia dhe jo në vendin tonë? Disa kolegë, të cilët janë të pranishëm këtu e bëjnë këtë, duke investuar shuma të mëdha të parave jashtë vendit. Midis të tjerave, për habinë time, kam zbuluar se një investim mjaft serioz është bërë kohët e fundit në Greqi", tha Putin në fjalimin e tij. 

Presidenti rus u shpreh se “Greqia është vend i mirë dhe e kemi pranë shpirtërisht, por ne e dimë se çfarë probleme financiare ka atje. Në qoftë se një investitor zgjedh një vend të tillë, padyshim problematik për investime dhe nuk preferon, të themi rajonin e Rostovit, lind pyetja: Përse?”. 

"Ne do të hetojmë se përse investitorët dhe njerëzit tanë e të huaj investojnë shuma të mëdha jashtë vendit dhe pse nuk kanë aftësinë për të investuar këtu", vijoi Vladimir Putin. 

Mediat greke e interpretojnë këtë si "kthim shpine" të aleates historike, Rusisë, ndaj Greqisë. 
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›