E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putin në krah të Blater: Akuzat për të, non-sens

RUSI- Kryeministri rus Vladimir Putin ka dalë në krah të presidentit Sep Blater, pas hetimit të nisur nga Komiteti i Etikës në FIFA ndaj tij. Zviceriani akuzohet se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të kryer hetime, pas dyshimeve të ngritura nga rivali i tij për presidencën e FIFA-s Mohamed Bin Hamam.

Blater do të dalë përpara Komitetit ditën e diel, vetëm tre ditë para mbajtjes së Kongresit, nga i cili do të dalë edhe kreu i ri i FIFA-s. Ndërkohë, Vladimir Putin u shpreh i sigurt në pastërtinë e Blater dhe hodhi poshtë zërat se zgjedhjet presidenciale të 1 qershorit do të ndikohen pas kësaj. “Ajo çfarë po ndodh më ka habitur shumë.

Të akuzosh zvicerianin Blater për korrupsion është non-sens, totalisht non-sens, - tha Putin. – Jam i sigurt se kjo histori nuk do të ketë asnjë ndikim në zgjedhjet për presidencën e FIFA-s”, shtoi ai. Pas mbështetjes së fortë të Blater, në muajin dhjetor Rusia fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit të vitit 2018.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›