E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe publikon listën, rikthehen Curri dhe Kapllani

TIRANË- Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe ka thirrur 23 futbollistë për ndeshjen e 7 qershorit kundër Bosnje-Hercegovinës në Zenica. Kroati e ka rritur numrin e lojtarëve të ftuar për këtë takim, ndërsa ajo që bie në sy është rikthimi në skuadër i Edmond Kapllanit. Sulmuesi i Paderbornit në Bundesliga II, ka munguar në takimet e fundit të kombëtares, por forma e treguar prej tij në Gjermani apo dhe presioni i mediave duket se ka bindur trajnerin kroat. 

Ndërkaq, Kuzhe ka konfirmuar se Samir Ujkani do t’i bashkohet ekipit në datën 3 qershor. Por, ajo që të bie në sy në rastin e portierëve, është fakti që Kuzhe ka grumbulluar tre të tillë, ndonëse është vetëm një ndeshje teke. Përveç të zakonshmëve Beqaj dhe Ujkani, Kuzhe ka rithirrur edhe Isli Hidin. Përsa i përket pjesës tjetër të ekipit, ndryshimet e bëra nga trajneri kuqezi thuajse nuk ekzistojnë. 

Në mbrojtje është rikthyer pas shumë kohësh Debatik Curri, ndërsa mesfusha do të jetë e njëjtë si me ndeshjen me Bjellorusinë. Shqipëria do të përballet me Bosnjen më 7 qershor, në stadiumin e Zenicas, në një ndeshje vendimtare për fatet e saj në eliminatoret e Europianit 2012. Më 20 qershor, kombëtarja kuqezi do të luajë në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit, një miqësore ndaj Argjentinës së Lionel Mesit.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›