E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duke pritur finalen, Mançesteri dyshime për formacionin

ANGLI- Ndërsa në kampin e Barcelonës shumë gjëra duken të kristalizuara përsa i përket formacionit, Aleks Ferguson nuk ka zgjidhur ende dilemat e fundit për ekipin që do të hedhë sot në mbrëmje në fushë. Katalanasit do të luajnë me Alvesh, Maskerano, Pike e Pujol përpara portierit Valdes, Buskets, Ksabi e Iniesta në mesfushë dhe me treshen Pedro-Vija-Mesi në sulm. Spanjollët shpresojnë që edhe lartësia e barit të jetë e duhura, në mënyrë që t’i ndihmojë në qarkullimin e topit.

Ndërkaq, mbetet ende e dyshimtë skema e Mançesterit. Ferguson ka lënë të kuptohet se do të luajë me një 4-4-2 të pastër, me Runin e Hernandez në sulm, por në këtë mënyrë, qendra e mesfushës do të ketë jo pak probleme. Majkëll Kerrik është i ngathët, ndërsa Gigs nuk është në moshën më të përshtatshme për të përballuar Ksavin e Iniestën.

Në këtë mënyrë, mundësia tjetër është që Ferguson të heqë një prej sulmuesve dhe të hedhë në fushë një tjetër mesfushor. Titullarët e tjerë të mesfushës janë Ji Sunk Parg e Antonio Valencia. Përsa i përket pjesës tjetër, ajo është e paprekshme, me Runin në sulm, Ferdinand, Vidiç dhe Evra përpara mbrojtjes, ndërsa në të djathtë të saj Fabio da Silva është në avantazh në krahasim me vëllain e tij binjak Rafael dhe Xhon O’Shi.
Një tjetër element i veçantë i finales është koha. Në Londër bën freskët dhe vera duket ende e largët, kështu që një klimë tipike britanike, favorizon deri diku Mançester Junajtid.

Një tjetër detaj janë shpenzimet. Një studio e porositur nga MasterCrad, ka llogaritur se finalja e sotme vlen 369 milionë euro. Sipas raportit të hartuar prej saj, xhiroja e parave për këtë finale do të jetë 16 milionë euro më e lartë se ajo e vitit 2009 mes Barcelonës e Mançesterit dhe 17.5 milionë më shumë se finalja e vitit të shkuar mes Interit dhe Bajernit të Mynihut.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›