Putini serb

Ende pa dhënë betimin e tij si i pari i Serbisë, Tomislav Nikolicit, të hënën iu drejtuan një varg kërkesash si nga autoritetet serbe, ashtu edhe nga ato kosovare.
Përderisa në Serbi i kërkojnë që të sillet si Putini gjoja për demokratizimin e vendit, nga Kosova i bëjnë thirrje që të mos e përcjellë avazin e ish-Presidentit Boris Tadic.
“Pres nga presidenti ri, të ndjekë rrugën e Vladimir Putinit, në zhvillimin demokratik të vendit”, ka thënë kreu i Partisë “Serbia e Re”, Velimir Iliq, të hënën para mediave.
Ndërsa e para e shtetit kosovar, presidentja Atifete Jahjaga pati një porosi për homologun e saj, Nikolic. Nëpërmjet një deklarate për media, Jahjaga i kërkoi që të mos ndjek rrugën e Boris Tadicit, por tregohet më fqinjësor karshi Kosovës së pavarur dhe sovrane.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës i bën thirrje presidentit të sapozgjedhur të shtetit fqinj, Serbisë, ta bëjë atë që paraardhësit e tij nuk e kanë bërë; ta gjejë guximin dhe të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me Kosovën”, thuhet në deklaratë. Ndër të tjera, sipas zyrës së Presidentes, kjo do t’i ndihmonte që të dyja shtetet në rrugët europiane. “Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë të ecin në rrugën e integrimeve europiane dhe që popujt e të dyja vendeve të përcaktohen për të ndërtuar një të ardhme me prosperitet”, përfundon deklarata e Jahjagës.
Por, çështje e mbyllur mbetet ende ajo se sa Nikolic do t’i përfillë kërkesat e Prishtinës. Për më tepër, ai njihet si nacionalist radikal dhe jo shumë i pëlqyer nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkohë që politikat e tij karshi Kosovës nuk ndryshojnë shumë nga pushteti i mëhershëm serb. Për më tepër, në debate publike të cilat i kishte zhvilluar me Tadicin, gjatë fushatës zgjedhore për Kryetar shteti, ai kishte thënë se nuk do të heqë dorë asnjëherë nga Kosova.
E skeptik sa i përket ndërrimit të politikës serbe karshi shtetit të Kosovës me ardhjen e Nikolicit në pushtet u treguan edhe zyrtarë të lartë vendorë, të hënën.
Sipas Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, personalitetet në politikën serbe nuk luajnë shumë rol, përderisa politika karshi Kosovës mbetet e njëjtë.
“Sa i përket asaj se si do të reflektojë kjo çështje në Kosovë, mendoj se në Kosovë duhet të merremi për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë tona që na i jep Kushtetuta e vendit, dhe për të përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve tanë. Ky është obligim parësor që u mbetet institucioneve të Kosovës, por edhe Parlamentit”, ka thënë Krasniqi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi për më tepër ka thënë se fati i Kosovës nuk lidhet me zgjedhjet serbe.
“Kosova nuk ka pasur telashe asnjëherë me liderët e Serbisë, por ajo është ballafaquar me sovranitetin e saj karshi Kosovës. Presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç është zgjedhje e qytetarëve serbë, ndërkaq fati dhe pavarësia e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike në Serbi”, ka thënë Kuçi.
E të njëjtin mendim si ky e ndan edhe ish-Kryediplomati kosovar, Skënder Hyseni.
“Nuk besoj që karshi Kosovës do të ketë ndonjë ndryshim substancial në qasje, sepse bindja ime gjithherë ka qenë që Presidenti Tadic ka qenë europian në Bruksel, por në Beograd dhe në Ballkan ka qenë shumë ballkanas. Sidomos karshi Kosovës, ka qenë po aq ballkanas, sa edhe pararendësi i tij, me një dallim të vogël që ky nuk i ka përdorur armët, ndërkaq që ka shkuar i ka përdorur edhe armët kundër Kosovës”, ka thënë Hyseni.
“Unë nuk dua të paragjykoj që Kosova do ta ketë shumë më vështirë me këtë apo atë president, sepse se çfarë do të jenë raportet e Kosovës me Serbinë, varet në rend të parë nga vetë Kosova”, shtoi ai. Ndërkohë që shprehu bindjen se me ardhjen e Nikolicit në krye të shtetit serb, do të dihet më qartë pozicionimi i politikës serbe në Ballkan.
“Ka një paragjykim të skajshëm në Europë, përgjithësisht ndaj presidentit të zgjedhur Nikolic. Unë megjithatë, një mendje më thotë se me këtë president, edhe Europa, edhe Ballkani do t’i kenë gjërat pak më të qarta. Do ta dinë pak më qartë se ku qëndrojnë”, ka thënë Hyseni.
Dacic, në mëdyshje për koalicion
Pas fitores së kreut të Partisë Përparimtare, Tomislav Nikolic në zgjedhjet presidenciale, lideri i socialistëve të Serbisë, Ivica Dacic ka shprehur mëdyshjet e tij në lidhje me koalicionin qeverisës që ishte paralajmëruar të themelohej me Partinë Demokratike të Boris Tadicit.
“Kjo do të thotë se mandatarin e përcakton presidenti dhe pyetja tani është se kujt do t’ia japë ai këtë mandat. Gjithsesi, gjërat do të jenë më të ndërlikuara”, ka thënë Dacic, për të përditshmen beogradase “Blic”.
Ndryshe, bisedimet për formimin e qeverisë me partinë e Tadicit, Ivica Dacic i kishte filluar pas zgjedhjeve parlamentare dhe rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 6 maj.