Pyel: “Eliminuan Realin, tani radha e Bajernit”
Lioni ka nevojë të luajë një futbolli me risk të lartë kundër Bajernit të Munihut në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve për të përmirësuar shanset e tij për të arritur për herë të parë në finale në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. “Ekipi duhet të ndryshojë komplet qëndrimin e tij. Ne duhet të bëjmë një performancë akoma edhe më pozitive”, - tha sulmuesi i Lionit, Lisandro Lopez. Të dyja skuadrat do të jenë më të dobësuar për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve, me Lionin që do t’i mungojë Zheremi Tulalan dhe Bajernit me Frenk Riberinë, të ndëshkuar me karton të kuq në takimin e parë gjysmëfinal në “Alianz Arena”. Qëndërmbrojtësit e Bajernit, Martin Demikelis dhe Daniel van Buyten janë para një “gare” për të kaluar problemet me gjendjen e tyre, ndërkohë që Lioni ka në dyshim qëndërmbrojtësin Kris dhe anësorin Mishel Bastos.
Trajneri i Lionit, Klod Pyel, është i njohur për motivimin e lojtarëve të tij dhe ai mendon se ekipi i tij mund të kualifikohet edhe pse ka humbur ndeshjen e parë. “Ne kemi shanset tona në ndeshjen e kthimit, edhe pse do të kishte qenë mirë të shënonim në ndeshjen jashtë shtëpisë”, - tha Pyel. “Ne shkuam në Madrid dhe u kualifikuam dhe tani na duhet ta bëjmë edhe në stadiumin ‘Gerland’. Unë i preferoj këto lloj skenarësh, pasi ju luani futbollin tuaj më të bukur kur ju keni nevojë të merrni rezultat. Unë mendoj se ne kemi çdo shans për t’u kualifikuar thjesht duke luajtur me aftësitë tona”. Lioni ka pritur vite të tëra për një shans në suksesin kontinental, pasi asnjëherë më parë nuk ka qenë në fazën gjysmëfinale të kompeticionit. Presidenti i klubit, Zhan Mishel Olas, tha se ekipi gjerman festoi pas fitores në ndeshjen e parë, por ekipi i tij nuk ka aspak frikë pas eliminimi të Realit të Madridit në raundin e parë me nokaut. “Dëgjova thirrjet e fitores nga lojtarët e Bajernit, të zhurmshme dhe të qarta, kur ata shkuan në dhomën e tyre të zhveshjes”, - tha Olas. Trajneri Pyel mori lajme të mira pas kthimit në stërvitje të mbrojtësve Dejan Lovren dhe Zhan-Alain Boumsong, ky i fundit nuk luante prej tre javësh pas dëmtimit në stërvitje të një muskuli të pulpës. “Ai u stërvit normalisht, pas një efekt dëmtimi”, - tha Pyel. “Ai do të jetë në skuadër”.
27 Prill 2010