Van Gal: “Bajerni vdes vetëm në fërshëllimën e fundit”
Trajneri i Bajernit të Munihut, Luis van Gal deklaroi se mënyra më e mirë për të mbrojtur avantazhin 1-0 të ekipit të tij kundër Lionit në ndeshjen e dytë gjysëmfinale në Ligën e Kampioneve do të jetë sulmi ndaj vendasve nëse ata dëshirojnë të jenë në finale. Bajerni është me një këmbë në finalen e Madridit falë goditjes perfekte të Arjen Robenit në “Alianz Arena” të mërkurën e kaluar dhe Van Gal sugjeroi se formacioni i tij duhet të sulmojë në front të gjerë, duke deklaruar se për të ndeshja nis nga rezultati 0-0, për të motivuar akoma më shumë lojtarët e tij për të avancuar në finalen e parë të Ligës së Kampioneve qysh nga viti 2001. Van Gal tha: “Ne duhet të harrojmë atë që ndodhi në ndeshjen parë pasi kjo e dyta do të jetë një ndeshje ndryshe. Por unë besoj se lojtarët e mi e dëshirojnë fort të jenë në finale. Dëshira jonë është e fortë”. Bajerni do të luajë kundër Lionit pa disa lojtarë kyç si Frenk Riberi e Anatoli Timoshuk, ndërkohë që Martin Demikelis dhe Diego Kontendo janë në dyshim të madh. Van Gal pranoi: “Ne kemi shumë dëmtime dhe shumë problem. Ne shpresojmë se ata do të luajnë. Ne kemi sjellë 17 lojtarë dhe nëse ata nuk do të luajnë, atëherë ne do të kemi 14 lojtarë. Gjithsesi, ne do të jemi në gjendje të hedhim në fushë 11 lojtarë”. Edhe pse ekipi i tij vuan nga dëmtimet dhe pezullimet, Van Gal e di se mund të besojë në ekstra-cilësinë me të cilën përkufizohet një ekip gjerman. Ai shpjegoi: “Kur unë isha trajner i Holandës, unë isha mësuar t’u thosha gjithmonë lojtarëve se ju nuk e keni mundur një ekip gjerman, edhe pse kanë kaluar 90 minuta dhe ju kryesoni. Ne kemi shumë lojtarë gjermanë në skuadër dhe janë shumë të huaj që luajnë prej një kohe të gjatë në Gjermani. Këta lojtarë kanë mësuar shumë nga futbolli gjerman dhe nga ky mentalitet i jashtëzakonshëm i futbollistëve gjermanë. Kjo është arsyeja se përse unë jam këtu te Bajerni i Munihut”.
Bajerni është në rrugën e një triplete historike. Bajerni kryeson me golaverazh ndaj Shalke 04 në krye të Bundesligës, kur kanë mbetur edhe dy javë për tu luajtur, ndërkohë që në finalen e 15 majit në Kupën e Gjermanisë do të përballet me Verder Bremenin. Shatë ditë më pas, Bajerni shpreson të jetë në Madrid, në kërkim të lavdisë europiane. Mesfushori i Bajernit, Danijel Pranjiç është gjithashtu i pezulluar, dhe trajneri i bavarezëve, Luis van Gal do te jetë pa mesfushorin ukrainas Anatoli Timoshuk, i cili qëndroi në shtëpi për shkak të problemeve me stomakun. Mbrojtësi Diego Kontentdo është gjithashtu në dyshim. “Ashtu si Daniel van Buyten, edhe Kontendo mori një goditje dhe nuk mund të themi nëse ai do të jetë në gjendje për të luajtur”, - tha Van Gal. “Ata kanë udhëtuar me ne, por ne do të shohim pak më vonë nëse ata janë në formë”. Mesfushori i Bajenrit, Bastian Shvajnshtajger tha të shtunën pas barazimit 1-1 me Borusia Mënshengladbahut së ekipi i tij është më pak i freskët se sa Lioni, që shtyhu nga ana e tij ndeshjen kundër Monakos. “Ne pësuam disa dëmtime, ndërkohë që Lioni mundi të përgatitej më qetësisht për këtë ndeshje”, - tha Shvajnshtajger. Inkursionet e Riberisë janë thelbësore në stilin e kundërsulmit të Bajernit dhe kapiteni Mark van Bomel theksoi se mungesa e anësorit francez do të ndihet jo pak. “Është një keqardhje për ne që Frenk nuk do të luajë”, - tha Van Bomel. “Ai është një nga lojtarët më të mirë në Europë”. Edhe pse mbrojtja e Lionin nuk do të shqetësohet nga Riberi, forma e shkëlqyer që po përjeton Arjen Robeni mund të shndërrohet në një makth të vërtetë. Anësori holandez ka shënuar 20 gola në 31 ndeshje për Bajernin n këtë sezon, dhe 16 në 18 ndeshjet që janë luajtur këtë vit. Ai shënoi golin e fitores së Bajernit në ndeshjen e parë dhe realizoi golin që nxori jashtë Europës, Mançester Junaitid, në çerekfinale. Van Gal është një trajner i rregullave të ashpra dhe ai nuk hezitoi ta zëvendësonte Robenin në ndeshjen e parë kundër Lionit, edhe pse anësori nuk e mirëpriti atë. Ish-trajneri i Holandës tha se ai mund ta bëjë sërish këtë, nëse kjo gjë do të kërkohet. “Asnjë lojtar nuk ka garancinë të luajë për 90 minuta me mua, ai duhet të bëjë punën e tij. Kur ai nuk do të bëjë punën e tij atëherë do të jetë jashtë ekipit”, - tha Van Gal. “Të gjithë lojtarët e dinë këtë tani”.
27 Prill 2010