E Diel, 1 Nëntor 2026

Pyetësori i BE, Shqipëria plotëson 73% të përgjigjeve

Mbledhja

Qeveria shqiptare çon në 30 numrin e kapitujve të miratuar për sa i përket pyetësorit të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar në BE. Kryeministri Berisha drejtoi dje mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, i cili miratoi edhe 9 kapituj të tjerë të pyetësorit, duke e çuar numrin e përgjigjeve të kthyera në 1669, ose 73 për qind të gjitha përgjigjeve qe Shqipëria detyrohet. Kapitujt e miratuar janë lëvizja e lirë e mallrave, e drejta e vendosjes dhe liria e ofrimit të shërbimeve, koordinuar, legjislacioni për shoqëritë tregtare, ligji i pronësisë intelektuale, energjia, politikat sociale dhe të punësimit, ndërmarrjet dhe politikat industriale, mbrojta e konsumatorit dhe shëndetit dhe marrëdhënieve me jashtë, kapituj të koordinuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kryeministri Berisha deklaroi gjatë fjalës së tij, se këto 9 kapituj së bashku, përbëjnë 29 për qind të të gjitha pyetjeve, përkatësisht përgjigjeve, të këtij pyetësori, apo 667 përgjigje. Sipas Berishës, këto përgjigje kanë qenë të shpërndara në 56 institucione të vendit dhe për to janë angazhuar mbi 350 punonjës, drejtues të të gjitha niveleve në hartimin e tyre. Gjithashtu, Berisha gjeti rastin të përgëzojë punonjësit e Ministrisë së Ekonomisë dhe agjencitë e këtij dikasteri për punën e mirë që kanë bërë në kuadër të kthimit të përgjigjeve të pyetësorit. Më herët, Kryeministri Berisha u ka kërkuar punonjësve të angazhuar me kthimin e përgjigjeve, të jenë sa më koncizë në përgjigjet e tyre dhe të eliminojnë ujërat e tepërta në përgjigjet që japin. Paralelisht me procesin e kthimit të përgjigjeve, po ecën edhe ai i përkthimit të pyetjeve. Edhe në këtë proces Berisha ka kërkuar që përkthyesit të jenë koncizë dhe të gjejnë gjuhën e duhur për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të KE-së. Po kështu, Kryeministri ka theksuar se ky pyetësor do t’i dorëzohet Komisionit Europian në prill të këtij viti. Pas dorëzimit të këtij pyetësori, pritet edhe marrja në shqyrtim e përgjigjeve nga ana e Komisionit Europian, në bazë të të cilave pritet edhe dhënia e një përgjigje nëse vendi ynë i ka përmbushur kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Kërkesa e vendit tonë për këtë status pritet të marrë përgjigje vetëm në vjeshtë të këtij viti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›