NATO, Berishës: Blloko ligjin e SHISH-it
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe NATO e kundërshton fuqishëm draftin e qeverisë për Shërbimin Informativ Shtetëror. Ndërkohë që Komisioni përgjegjës parlamentar për të miratuar këtë draft, ai i Sigurisë Kombëtare e ka shtyrë diskutimin, në tryezën e Kryeministrit Berisha ka mbërritur një letër “Top Secret”, nga selia qendrore e NATO-s në Bruksel. Sipas burimeve diplomatike, kjo letër kërkon bllokimin e të gjitha procedurave për miratimin e ligjit të SHISH-it, i cili, sipas Aleancës së Atlantikut Verior shkel standardet e organizatës që Shqipëria është anëtare me të drejta të plota që nga viti i kaluar. Zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë quhet NOS. Sipas “Top Channel”, në dokumentin që sapo ka mbërritur në Tiranë, theksohet se përpara se të diskutohet në strukturat e legjislativit, drafti për shërbimin sekret shqiptar duhet të kalojë nga kjo zyrë e aleancës, që përbëhet nga tre seksione: Zyra për Orientime të Përgjithshme, Inteligjenca për Sigurinë, si dhe Siguria e Mbrojtjes. Zyra speciale e NATO-s, në fakt përbën Agjencinë Inteligjente të Aleancës. Kërkesën që drafti i ri për SHISH-in të diskutohet më parë nga ekspertët ndërkombëtarë, sepse shkelen standardet ndërkombëtare, e ka hedhur të premten e kaluar ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, i cili deklaroi se shkelen të drejtat e një institucioni të pavarur. “Ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit shërbimit informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese”, theksoi ambasadori i SHBA-së.
Komisioni parlamentar i Sigurisë ka shtyrë për sot diskutimin e projektligjit për SHISH-in, ndërsa ka zhvilluar një seancë dëgjimore me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Në këtë seancë, që është zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se kreu i shërbimit sekret ka deklaruar se një pjesë e veçantë e projektligjit shkel pavarësinë e institucionit dhe e vë atë nën varësinë e Kryeministrit. Këtë deklaratë, Shaqiri e ka bërë në Komisionin e Ligjeve një javë më parë, por Komisioni i Sigurisë është në fakt përgjegjësi për miratimin e tij dhe kalimin në seancë plenare. Në mbledhjen e djeshme nuk kanë marrë pjesë deputetët e Partisë Socialiste, e cila bëri të ditur se do të ndalojë që projektligji i qeverisë të bëhet ligj. Në takimin e djeshëm ishin prezentë përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, misionit EURALIUS të BE-së për drejtësinë, por edhe të OSBE-së. Nga burime brenda mbledhjes mësohet se kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri, ka deklaruar se pika h e nenit 3 të draftit e vë shërbimin sekret nën varësinë direkte të kreut të qeverisë. Në këtë pikë theksohet: “SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Praktikisht, nëse do të miratohej drafti për çdo operacion të përbashkët që do të zhvillonte SHISH me agjencitë inteligjente të vendeve partnere të Perëndimit si CIA amerikane, MI5 britanik, NOS i NATO-s apo edhe i shërbimeve sekrete gjermane, franceze apo italiane, do të duhej të informonte Kryeministrin. Gjë që sipas standardeve të NATO-s cilësohet si vënie e shërbimit sekret nën pushtetin politik të qeverisë apo të një mazhorance. Agjencitë e informacionit inteligjent në vendet e Perëndimit punojnë vetëm sipas kritereve profesionale, ndërkohë, drejtuesi mund të jetë person politik, por ai nuk duhet të ruajë me fanatizëm rregullat e shërbimit.
#