Manipulimi në zgjedhje, Rama informon të dërguarin e OSBE
Kapërcimi i ngërçit politik është thelbësor që Shqipëria të vijojë të bëjë progres në zbatimin e axhendës ambicioze të reformave, deklaroi dje, gjatë vizitës së tij në Tiranë, i dërguari i posaçëm i kryetarit të radhës të OSBE-së, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Konstantin Zhigalov. “Ne i njohim përparimet e bëra nga Shqipëria në realizimin e reformave demokratike. Klima e bashkëpunimit e vendosur në të kaluarën mes qeverisë dhe opozitës ka kontribuar në sukseset e rëndësishme të arritura në këtë drejtim”, tha ai.
Zhigalov mirëpriti vendimin e Partisë Socialiste për të hyrë në Kuvend dhe shprehu shpresën se kjo do t’i hapte rrugë zhvillimit të debateve të ardhshme politike brenda Parlamentit. Ai nënvizoi se OSBE-ja qëndron e gatshme të mbështesë përpjekjet e partive politike të Shqipërisë për dialog politik. “Gjithsesi, përgjegjësia për të zgjidhur situatën e tanishme, në fund të fundit, bie mbi aktorët kombëtarë”, u shpreh ai. Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ekipi i OSBE ka bërë thirrje për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, e cila do të mbyllte krizën e gjatë politike që pasoi përfundimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Por duhet shtuar se në ndryshim nga apeli i zyrtarëve të tjerë ndërkombëtarë, vizita e përfaqësuesve të OSBE ka një rëndësi simbolike, sidomos për opozitën socialiste. Kjo pasi raporti përfundimtar i zgjedhjeve i hartuar nga OSBE-ODIHR, i dha shumicës aktuale argumentin qendror për përballimin e kërkesave të PS lidhur me hetimin e procesit dhe pikën kritike të tyre; hapjen e kutive të votimit. Këtë element që në një farë mënyre ka penalizuar deri më tani legjitimitetin e kërkesave socialiste, kreu i selisë rozë, Edi Rama, e ka risjellë në takimin me Zhigalov, duke dhënë sigurime se pretendimi i saj është legjitim. Rasti i dokumentuar i shkeljeve me listat në Ruzhdie dhe tërheqja taktike e PS nga kërkesa këmbëngulëse për rinumërim, i ka dhënë kësaj të fundit një epërsi morale në negocimin aktual. Edhe konkluzioni i dalë nga vizita e Zhigalov, që sugjeron një marrëveshje vetëm shqiptare për krizën, mund të thuhet se i ka përforcuar qëndrimet e opozitës, e cila pas më shumë se 7 muajsh ia ka dalë që të diktojë nevojën e një marrëveshjeje. Duke njohur “përgjegjësitë” e raportit përfundimtar, në kuptim të pasojave politike që ai prodhoi brenda skenës politike shqiptare, asnjanësia e tanishme e OSBE vetiu përkufizohet si një njohje relative e përgjegjësisë së saj për zgjedhjet e 28 qershorit. Jo vetëm në kuptimin politik, por edhe në atë teknik, selia rozë më në fund ka arritur ta orientojë kërkesën e saj për hetim në kanale të arsyetuara në pikëpamje juridike. Me distancimin nga qasja për rinumërim, ajo ka shmangur mbrojtjen e shumicës me raportin e OSBE, e për pasojë konfrontimin me të, i cili e njeh procesin e numërimit përgjithësisht korrekt.
#