“Pyetësori mbërriti në kohën më të shkurtër”
17/12/2009 Ministrja Majlinda Bregu mbledh Komitetin Koordinues të Integrimit
Opozita të reflektojë dhe të kthehet në Parlament
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, menjëherë pasi i është dorëzuar nga kryeministri Sali Berisha pyetësori i Komisionit Europian, ka mbledhur Komitetin Koordinues Ndërinstitucional të Integrimit. Në prezantimin e këtij dokumenti tepër të rëndësishëm me 2280 pyetje dhe 384 faqe ministrja Bregu theksoi se ka mbërritur vetëm një muaj pas pranimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. “Kjo është koha më e shkurtër e mjaftueshme për ardhjen e pyetjeve, çka është tregues i vullnetit dhe seriozitetit të BE-së për ta bërë sa më shpejt vendin tonë pjesë të familjes evropiane”, - ka thënë ajo. Ministrja tha se përgjigjet e pyetjeve të pyetësorit do të ndihmojnë Komisionin Evropian për të kuptuar dhe vlerësuar situatën aktuale ne vend për sa i përket përmbushjes së detyrimeve në fusha të caktuara dhe perspektivën e vendit në plotësimin e standardeve për anëtarësim. E pyetur në lidhje me qëndrimin e opozitës, ministrja e Integrimit vlerësoi se tashmë ka ardhur koha e tryezave të punës dhe jo e bojkotit të rrugës. “Ardhja e pyetësorit është një moment që duhet përshëndetur edhe nga opozita nëpërmjet ardhjes në Parlament, sepse nëpërmjet analizës që do t’u bëhet përgjigjeve në Bruksel do të vlerësohemi si një e tërë, si shqiptarë, as si qeveri, as si opozitë. Opozita duhet të reflektojë pas ftesave tona dhe thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve se bojkoti nuk është mënyrë evropiane e të bërit politikë”, - tha Bregu.
Baza ligjore
Ministrja Bregu tha se tashmë është gati baza ligjore për procesin e dhënies së përgjigjeve të pyetësorit. Ajo tha se ka hyrë në fuqi urdhri i kryeministrit mbi ngritjen e grupeve ndërinstitucionale të punës dhe vendimi i qeverisë mbi organizimin e procesit të përkthimit.
Strukturat administrative
Është përcaktuar struktura organizative për koordinimin e procesit të përgjigjeve. Është gati lista e personave që do të përfshihen në grupet ndërinstitucionale të punës. Në këtë proces janë përfshirë 45 institucione shtetërore dhe tëpavarura, me rreth 600 nëpunës.
Dokumentet dhe buxhetimi
Është finalizuar metodologjia e procedurës së hartimit të përgjigjeve dhe rregullat e formulimit të përgjigjeve. Është alokuar buxheti i përkthimit dhe është siguruar një fond i veçantë për financimin e përkthimit të përgjigjeve dhe rishikimin e përkthimit.
Procesi përkthimit
Është publikuar glosari i MSA-së dhe është përgatitur ai i institucioneve dhe programeve të BE-së. Është publikuar manuali i përkthimit të legjislacionit shqiptar në gjuhën angleze. Janë hartuar procedurat për përzgjedhjen e përkthyesve. Trajnime për rreth 58 përkthyes.