Fier, vjedhjet këtë vit në shifra rekord
17/12/2009 E pazbardhur ende vrasja e deputetit Xhindi
FIER- Bashkëpunimi me Prokurorinë, pushtetin vendor, shoqatat joqeveritare dhe komunitetin, sipas kreut të Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier, Mërgim Hoxha, kanë qenë pikat kyçe, të cilat kanë sjellë sukses gjatë vitit 2009 në blutë fierake. Analiza e policisë së qarkut Fier ka ardhur me tregues pozitiv për ngushtimin e hartës së kriminalitetit, si dhe për arrestimin e shumë personave të shpallur në kërkim. Kjo sipas bluve fierak vjen si pasojë e evidentimit të saktë të veprave penale dhe implimentimit të strukturës së re në policinë e shtetit, gjë që ka sjellë një harmonizim dhe rritje të bashkëpunimit midis të gjitha strukturave në Drejtorinë e Policisë së qarkut Fier. Gjatë periudhës 10-mujore ( janar –tetor ) të vitit 2009, janë regjistruar rreth 38 vepra penale më pak, se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”,- ka deklaruar Drejtori i Policisë së qarkut Fier, Mërgim Hoxha. Vepra penale e vjedhjes mbart shifrën rekord të veprave penale gjatë këtyre muajve. Sipas statistikave, jo pak, por 280 vepra penale vjedhje kioskash, automjetesh, banesash janë regjistruar në qarkun Fier. Sipas Hoxhës, prioriteti bazë i strategjisë së DPQ Fier ka qenë parandalimi i krimit, zbulueshmëria në kohë, identifikimi dhe kapja e autorëve të veprave penale. “Gjatë10- muajve janë regjistruar 760 vepra të ndryshme penale nga 798 të regjistruara vitin paraardhës”,- pohon Hoxha. Hoxha e shikon në sensin kritik shkallën e zbulueshmërisë së krimit. Kjo, sipas tij, ka një rënie në masën rreth 8,5% me një vit më parë.
“Nga 700 vepra penale të zbuluara një vit më parë, gjatë vitit 2009 zbulueshmëria ka rënë në 561”, -deklaron Hoxha. Madje Hoxha është ndalur dhe në krimin më të rëndë, që tronditi jo vetëm qarkun e Fierit, por krejt shoqërinë dhe politikën e vendit. “Edhe pse kanë kaluar 8 muaj nga vrasja e deputetit Xhindi, ngjarja qëndron ende e pa zbardhur”, është shprehur Hoxha.
Tregues pozitiv ka pasur edhe sektori i qarkullimit rrugor. Këta të fundit janë munduar që të sjellin një tablo shumë më pozitive se viti i kaluar, duke ulur kështu numrin e aksidenteve si dhe duke vjelë gjoba në një masë relativisht të kënaqshme