Vlorë, probleme me pastrimin e parave
17/12/2009 Në disa raste ngërç me vendorët
VLORE- Në Drejtorinë e Policisë së qarkut Vlorë është zhvilluar dje analiza 1- vjeçare e kësaj drejtorie. Të pranishëm kanë qenë edhe nëndrejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hamdi Fjora, përfaqësues të qarkut, Prokurorisë e sektorëve të tjerë të policisë. Ndër shifrat e renditura në analizën e sotme kanë qenë gjithsej 1109 vepra penale, ku të evidentuar janë gjithsej 718 autorë, nga të cilët të ndaluar apo të arrestuar në flagrancë rezultojnë 213, të shpallur në kërkim 56 dhe të tjerët po hetohen në gjendje të lirë. Ndër veprat penale të evidentuara në tërësi janë ato ndaj personit 151 dhe ndaj pronës 511. Ndër rezultatet e arritura gjatë këtij viti drejtori i Drejtorisë së Policisë së qarkut Vlorë, Ylli Metko, ka renditur një sërë operacionesh të realizuara, shumë prej të cilave për bimët narkotike, trafikimin, vjedhje me armë, por edhe zbulimi i autorësisë së dy vrasjeve të ndodhura vite më parë. Ndër prioritetet që do të implementohen gjatë këtij viti kreu i kësaj drejtorie Metko, ka renditur parandalimin e kultivimit të narkotikëve, luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve, si dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me sektorë të tjerë të kufirit për menaxhimin e integruar e kontrollin e kufirit detar e tokësor. Duke marrë fjalën në këtë analizë, nëndrejtori i drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit Fjora, është ndalur kryesisht në problematikat që ka evidentuar në ecurinë e punës së kësaj drejtorie. Ndër to ai ka përmendur, mosevidentimin në analizë të disa problematikave mjaft prioritare, hartimin e disa strategjive të punës, pa marrë parasysh mentalitetin dhe kulturën e komunitetit që jetojnë në këtë qark, disa udhëzime që nuk kanë kaluar në nivelin zbatues, si dhe mungesa e bashkëpunimit në situata të veçanta me vendorin, ku ka pasur raste të konfliktimit. Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj, ka theksuar bashkëpunimin që ka ardhur në rritje me strukturat e policisë, por ka ngritur pretendime për punën e kryer nga ana e sektorit të pastrimit të parave, apo edhe problemi i mosrakordimit të akteve të ekspertimit nga ana e qarkullimit rrugor.