E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetje- Pergjigje per semundjen e meningjitit

1- Dr.Cimi! Unë që po ju pyes jam babai i dy femijeve të vegjël, 2 e 5 vjeç. Me thënë të drejtën, nga ato që dëgjojmë e lexojmë, na është krijuar një gjëndje alarmi për fëmijët lidhur me sëmundjen e meningjitit. C'është kjo sëmundje, cilat janë shënjat më të veCanta që duhet të na tërheqin vëmëndjen, Cduhet të bëjmë që të mbrohemi prej tij?
I nderuari lexues!
Pyetja juaj është me shumë vend, ne këtë situatë me një rritje të konsiderueshme të një sëmundëshmërie virale, në të gjithë vendin si dhe me evidentimin e disa rasteve me meningit.
C'është meningiti:
Kjo sëmundje është inflamacioni i cipave që mbështjellin dhe mbrojnë trurin. Në varësi të shkaktarit të sëmundjes, ai ndahet në dy kategori: Meningiti me lëngun që mbështjell palcën e kurrizit të turbullt dhe, ai me këtë lëng të pastër në vështrimin me sy. I pari shkaktohet nga një numur i madh bakteresh apo ndryshe mikrobesh, ndërsa i dyti më shumë nga viruset. Në rastet tona të publikuara edhe zyrtarisht, duket se shkaktari është mikrobi me emrin meningokok. Stina më e favorëshme për shfaqjen e meningitit (pamvarësisht nga shkaktari), është stina e dimrit, stinë në të cilën jemi edhe ne tani. Burimi i infeksionit është vetëm njeriu dhe, shkaktari transmetohet nga i sëmuri tek i shëndoshi nëpërmjet spërklave që dalin nga goja, nëpërmjet kontakti të afërt (puthja) e më rrallë nëpërmjet përdorimit të objekteve të ndyra (shami, peceta, gota, filxhanë e lugë), kur ato përdoren shumë shpejt pas ndyrjes. Kjo pasi mikrobi i meningokokut nuk ka rezistencë të madhe si ndaj të ftohtit ashtu edhe ndaj te nxehtit si edhe ndaj thatësirës. Nga meningiti mund të preken të gjitha moshat por ato më të mundëshmet janë moshat mbi 6 muaj deri në 5-6 vjeç, si dhe moshat e adoleshencës 13-14 deri në 20 vjeç.
Cilat janë shenjat:
Periudha nga marrja e infeksionit e deri në Cfaqjen e sëmundjes, që zgjat mesatarisht nga 2 deri në 5 ditë, kalon pa ndonjë shënjë të veCantë me përjashtim të ndonjë rufe e sekrecionesh të ujshme nga hundët. Me Cfaqjen e plotë të shënjave vërehet:
-Temperatura e menjëherëshme, e vrullëshme 39-40 e më tepër º C, me të dridhura (ethe), ndonjëherë edhe konvulsione (tek fëmijët e vegjël) dhe rebele në dominimin e saj.
-Të vjella të përsëritura dhe të forta, si "shatrivan", të cilat nuk lidhen me marrjen e ushqimit.
-Dhimbje të forta koke. Tek fëmijët e vegjël, që nuk janë në gjëndje të shpjegojnë këtë dhimbje pot ë jemi të kujdesshëm vërejmë se fëmija bërtet, ngre duart në drejtim të kokës dhe e lëviz atë sa nga një anë në anën tjetër.
-Dhimbje të muskujve të qafës e të shpinës, të cilat shoqërohen shpejt me ngrirjen apo kontraktimin e tyre.
-Pakënaqësia ndaj dritës.
-Tek fëmijët e vegjël vërehet fryrja, ngritja mbi nivelin e kockës së kokës e fontanelës (asaj që populli i thotë i buti i kokës).
Si të mbrohemi:
Është e domosdoshme të merrni masa për të mos patur kontakt me të sëmurë me meningit apo të dyshuar për të. Përsa i përket fëmijëve merrni masa që ata të mos frekuentojnë mjedise publike.
Në se vini re një nga shenjat e përshkruara më sipër, mos hezitoni e mos neglizhoni të kërkoni ndihmën e menjëherëshme mjekësore. Në rastet e meningitit, sa më shpejt të kërkohet ndihma mjekësore, sa më shpejt të vendoset diagnoza dhe sa më shpejt të fillohet mjekimi aq më i mirë është rezultati dhe aq më të pakta janë pasojat. Sa më shumë të vonohemi aq më e rëndë bëhet sëmundja dhe aq më të mëdha janë pasojat (dëmtime të trurit apo edhe vdekje)
Edhe vaksinimi kundër meningitit nga meningokoku ka vlerat e tij por, nuk rekomandohet vaksinim masiv i popullatës, ky vaksinim përcaktohet nga specialistët dhe vetëm për personat e kontaktit me të sëmurin.
Përshëndetje
Dr.Cimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›