E Diel, 1 Nëntor 2026

Pyetje për një milionNga Halil Matoshi“Asnjëherë nuk dua të investoj në idenë që Kuba të bëhet shtet i dorës së fortë, apo shtrëngimit të qytetarëve të vet. Jo, Kuba duhet të bëhet shtet i garantimit të të drejtave të njeriut”, mund të supozohet ta k

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pyetje për një milionNga Halil Matoshi“Asnjëherë nuk dua të investoj në idenë që Kuba të bëhet shtet i dorës së fortë, apo shtrëngimit të qytetarëve të vet. Jo, Kuba duhet të bëhet shtet i garantimit të të drejtave të njeriut”, mund të supozohet ta ketë thënë Raul Castro, vëllai i liderit legjendar komunist Fidel, për të krijuar simpati tek demokracitë botërore dhe për ta dhënë kumtin se Kuba e mbytur në Revolucionin Permanent po ndërron, prandaj të jeni më të kujdesshëm më të. Kështu disi do të ishin sugjerimet që do të merrnin diplomatët perëndimorë nga shefat e tyre, se si duhet të sillen me pushtetin “e ri” kuban.
Por jo, nuk është fjala për Kubën dhe as për ‘El Commandante’ - Dyshi, por këtë fjali e ka thënë Presidenti i një vendi evropian, me një Kushtetutë demokratike, pra ai i Kosovës. Dhe fjalia në origjinal ishte kjo: “Asnjëherë nuk dua të investoj në idenë që Kosova të bëhet shtet i dorës së fortë, apo shtrëngimit të qytetarëve të vet. Jo, Kosova duhet të bëhet shtet i garantimit të të drejtave të njeriut.”
Zoti President i Republikës, ndër të tjera kërkoj përgjigje publike nga Ju në pyetjen: Çka keni dashur të thoni me këtë fjali të shqiptuar në ceremoninë e diplomimit të 30 kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, në Institutin Gjyqësor të Kosovës, ku mori pjesë edhe ambasadori amerikan Cristopher Dell?
Po mirë, pse asnjëherë nuk e adresuat faktin se nga vjen kjo ide dhe a ekzistojnë ide të tilla që dalin nga zemra e errësirës në atdheun tonë!?
Zoti president, nëse keni dashur ta deklamoni profilin tuaj prej ithtari të liberaldemokracisë dhe të dëshmoheni si lider i kauzës së të drejtave të njeriut, ju keni dhënë një përgjigje skandaloze dhe shumë të vonshme, e cila tek hyjmë në dekadën e dytë të mileniumit të tretë nuk paraqet më pyetje për vendet evropiane, ku përket gjeografikisht edhe shteti që e drejtoni Ju. Jeni përgjigjur në këtë pyetje plot 56 vjet pas vdekjes së Josif Visarianoviç Stalinit (1953) dhe liberalizmit hrushovian, 43 vjet pas Plenumit të Brioneve, ku pas kritikave për pushtet të dorës së fortë dhe përdorimit të policisë sekrete (UDB) për t’i shtrënguar qytetarët e ish-shtetit komunist jugosllav, ka rënë Aleksandër Rankoviç; 29 vjet pas vdekjes së Josip Broz Titos; 24 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës, plot 20 vjet pas pushkatimit të Nikolae Cauesheskut në Bukuresht dhe 18 vjet nga rënia e komunizmit ramizist në Tiranë.
Pra, përcaktimi juaj që të mos investoni në idenë e shtrëngimit të qytetarëve është i humbur në kohë.
Por, nëse keni dashur t’i bëni gol me hile kryeministrit të Kosovës, mund të thuhet lirisht se ia futët nga korneri! A deshët tërthortë, me temsil t’i thoni z. kryeministër që e sajdisni aq shumë, të heqë dorë nga investimi në “dorë të fortë”, e ju të mbaheni për lider të butë dhe luftëtar i të drejtave të njeriut? Jo z. President, në vendet demokratike të drejtat e njeriut më nuk paraqesin pyetje dhe nuk duan përgjigje, sepse ato nënkuptohen, për diçka që dihet nuk diskutohet.
Nëse themi se drejtimi i shtetit është tepër i vështirë për Ju, sepse Qeveria aktuale ka rrëshqitur në autoritarizëm, nepotizëm dhe kleptokraci, nuk kemi thënë ende diçka që paraqet lajm. Sepse Ju jeni mandatuar që t’i tejkaloni vështirësitë dhe ta shtini këtë anije që po rrehet nga dallgët, në ujëra më të qeta. Po nëse themi se Qeveria e Kosovës tashmë në kontinuitet ka dhënë shenja të abuzimit me fuqinë e vet të shpërputhshme me kapacitetet e saja politike, mendore dhe menaxhuese, ende nuk jemi në thelbin e problemit. Nëse publikisht janë akuzuar për vrasje e dhunë njerëz që aktualisht drejtojnë institucione të shtetit, ministra e zëvendësministra, njerëz të fuqishëm të partive politike dhe të shërbimeve sekrete të tyre, kjo do të thotë se politika kosovare është e kriminalizuar dhe këtu duhet të kërkohet lajmi. Prandaj po e shtrojmë pyetjen e parë për Ju, zoti President, me këtë pretekst: Nëse akuzat e Nazim Bllacës, ish-pjesëtar i UÇK dhe i SHIK, janë të adresuara dhe normalisht ato nuk mund të paragjykohen nëse qëndrojnë apo jo, sepse këtë përgjigje mund ta japë vetëm hetuesia dhe gjyqësori, a mund t’i thoni Ju, z. President, publikut dhe a mund ta garantoni atë se politika nuk do ta shkatërrojë këtë rast ende pa u proceduar? Ju nuk guxoni të lejoni përligjjen morale të vrasjeve në Kosovë, sepse venerohet synimi që t’i jepet dëshmitarit një dënim popullor, si spiun serb që sapo erdhi nga Beogradi me mision për ta njollosur figurën e çlirimtarëve dhe për ta shkatërruar Kosovën, dhe s’ka fare pse të organizohet një gjyq për të, (sepse ai tashmë është dënuar!?), ngase rrjedhimisht ky lloj “gjyqi popullor”, kjo stigmë (i çmendur!?) mbi një dëshmitar-vrasës të vetëdeklaruar e përjashton ligjin, kurse qytetarët i detyron të bashkëjetojnë me krimin. A ka vend që të ngrihet ndonjë komision special parlamentar për të marrë dhe seleksionuar dëshmitë e qytetarëve për deformimet eventuale të këtyre segmenteve parapolitike dhe partiake të sigurisë?
Ju e dini, z. President, se fjala deformim vjen nga kohë të liga, kur pëshpëritej ende me gjysmë zëri, por sot, pas rënies së komunizmit, kjo fjalë është e barasvlershme me mizoritë.
Ju, z. president, keni thënë bashkë me kryeministrin se Kosova duhet të hetojë dhe të zbardhë vrasjet politike, por cili është dhe a keni caktuar një afat? Apo Ju vetëm e keni larë gojën, sa për t’i qetësuar familjarët e viktimave dhe për t’u dhënë kurajë votuesve që t’i votojnë njerëzit tuaj.
Ju, z. president, asnjëherë që nga fillimi i mandatit nuk keni ndërhyrë në asnjë vendim të qeverisë, qoftë ai edhe kundër interesave të vendit dhe nuk keni vendosur asnjëherë dialog me shtetasit, me shoqërinë civile dhe me mediat.
Ju vazhdoni t’i shikoni këto gjëra nga lartësitë e kullës prej qelqi, dhe me gjasë u duken vogëlsira. Por duhet të jeni në dijeni se shteti ynë i përbashkët është vënë në këmbë të qelqta, që mund t’i thyhen në pikë të natës dhe të gjunjëzohet. Tek qytetarët është krijuar perceptimi për partinë-shtet të kryeministrit, çka do të thotë se me rënien e një qeverie ose segmenti të PDK do të bjerë edhe ngrehina që ne e kemi në mendje e që quhet shtet, e të cilin e kanë obligim kombëtar, kushtetues dhe qytetar ta mbrojnë nga një armik i jashtëm shtetasit, të cilët, papandehur po vihen në zgrip që ta mbrojnë shtetin nga drejtuesit e tij.
Ky është modeli joperëndimor i qeverisjes, z. president, paçka që fjalën Perëndim e ke maje gjuhe secilin mëngjes të zymtë kosovar!?
Nëse e ke dëgjuar ndonjëherë më vëmendje Himnin amerikan, ai thotë: “Besoja lirinë ligjit”!
Kujt ia besoni lirinë Tuaj dhe të fëmijëve Tuaj, z. President, të të mos pyes se kujt ia keni besuar lirinë e shtetasve Tuaj?
Ju bëni be e rr’fe në demokracinë kosovare, por ju nuk keni bërë asgjë në balancën mes qytetarëve dhe pushtetit që shtetasve t’u jepni pak uzdajë, se nuk përfaqësoni idenë e dorës së fortë...
Z. president, vendi ynë, që aktualisht e udhëhiqni Ju, ka krijuar një traditë të keqe në këtë demokracinë formale, ku askush nuk shkon në burg për vjedhje votash, sepse mungon vullneti politik dhe 13 dhjetori dëshmoi se shumë gjatë procesi zgjedhor në Kosovë do të vazhdojë të jetë thjesht një manipulim. Vjedhja e votës tashmë është bërë sistem dhe doli se që të tri partitë kryesore të vendit vjedhin vota dhe është e padrejtë moralisht që në këtë “sport” të përfshihet vetëm PDK? Derisa kryeministri i vendit fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e fundit e shiti në publik si një plebishit të përditshëm për mirëqeverisjen, çka keni për të shitur Ju, i nderuari President?
Mitin për zgjedhje fair dhe demokratike në Kosovë, si shembull për rajonin dhe për demokracitë e zhvilluara?
Zgjedhjet në Kosovë pothuajse janë shndërruar në një mit, që në thelb është autodestruktiv. Ky është një ‘blanc-check’ në duart e tre partive kryesore me të cilin mbulohen deficitet në bankën e procesit zgjedhor dhe me këtë çek të bardhë përligjen manipulimet, vjedhja e votës, e aty ku vidhet vota, përligjet vrasja.
Në Republikën tonë, z. President, nuk ka liri fondamentale..., sepse aty ku njerëzit frikësohen ta thonë atë që e mendojnë, një ditë nuk e mendojnë fare atë që s’mund ta thonë... A do të ndiheshit të lehtësuar, që të mos them i lumtur, z. President në një këso situate, kur mbyllen gojët e shtetasve që ikin nga çdo debat publik duke thënë “nuk di gjë, i di qeveria këto punë”!?
Pra, kur do ta hiqni frikën dhe frikësimin, sepse një mëngjes Kosove mësova nga gazetat se nuk qenkeni ndër njerëzit që investojnë në idenë e dorës së fortë?
Kur do t’ua riktheni lirinë ekonomike qytetarëve, sepse aktualisht atë e gëzojnë vetëm klasa politike, ani pse jam i sigurt se vetë Juve, president, u duket i dyshimtë fakti se si po pasurohen nga zyrat politike vartësit Tuaj? A mendoni ndonjëherë se kush më kë po negocion kuotat e përqindjeve dhe përfitimet klienteliste nga tenderët dhe kush kujt po ia shet kompanitë publike, arat e fushat, pyjet e luginat, qytetet që i ndërtuan shumë breza, me angari dhe me vetëkontribute e taksa, por edhe me sakrifica e vullnet?
Dhe dua ta kujtoj atë që thotë Fareed Zakaria se modeli perëndimor i qeverisjes simbolizohet më mirë, jo nga plebishiti i masave, por nga gjykatësi i paanshëm... Çfarë po bëni Ju, z. President, për këtë, kur edhe Ju vetë e keni pohuar në disa raste se gjyqësori në vend nuk funksionon dhe është i politizuar dhe i korruptuar.
Atë që e thoshte Zakaria për modelin George W. Bush të qeverisjes vlen edhe për qeverisjen Tuaj, ndonëse në përmasa shumë më jocilësore: “Ndërmarrje që nuk funksionojnë, reagime konspirative dhe të ashpra, frikësuese ndaj një kërcënimi të paqenë, dhe të gjitha këto me paratë që nuk i kemi...”
Jeta në shtetin tonë të ri po bëhet e gërditshme.
Dhe sërish në fund, z. President, dëgjoje për atë Zot Himnin amerikan: Besoja lirinë ligjit!
“Koha Ditore”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›